Shqipëria ka hyrë prej javësh në hartën botërore të vendeve të prekura nga virusi i gripit të derrave, por përhapja e këtij virusi nuk është shqetësues dhe situata po mbahet nën kontroll nga autoritetet shëndetësore në vend.

Arben Ivanaj, zv/Ministri i Shëndetësisë, thotë gjithashtu për TV Klan se janë marrë të gjitha masat për të përballuar një fluks të shtimit të numrit të infektuarve, ndërsa shton se janë kontaktuar institucione zyrtare apo kompani të cilat do të bëjnë furnizimin me vaksina sapo ajo të jetë gati.

Arben Ivanaj: “Qeveria shqiptare ka fondet e nevojshme qoftë për trajtimin, qoftë për studimin e vaksinës dhe për të rikonfirmuar edhe njëherë tjetër ne kemi kontaktet e para me disa kompani të cilat kanë konfirmuar praninë e vaksinës dhe ardhjen e vaksinës në momentin e duhur në vendin tonë.”

Çdo javë në laboratorin e Rumanisë dërgohen 10 deri në 15 mostra të cilat dyshohen të jenë prekur nga virusi A/H1 N1.

Sipas Ivanaj në Shqipëri duhen rreth 300 mijë vaksina pasi gripi është i predispozuar të prek më shumë moshat nën 65 vjeç.

Arben Ivanaj: “Ne do na duhen nga 30 deri në 300 mijë doza vaksinale të cilat duhen siguruar. Në qoftë se mbajnë të gjitha rekomandimet për të cilat janë për gripin e zakonshëm, përgjithësisht grupet e ekspertëve rekomandohen situatat e gripeve të zakonshme. Në qoftë se marrim rekomandime të cilat duhen  për gripin e zakonshëm mund të jenë afërisht 300 mijë persona të cilët duhet të vaksinohen.”

Deri tani në vendin tonë 20 persona janë infektuar nga gripi i derrit dhe të gjithë janë jashtë rrezikut, ndërsa në botë ka shkaktuar rreth 1800 viktima. /tvklan.al