Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pak orë para seancës së mocionit, për debat me kryeministrin Fatos Nano për raportin vjetor të Bashkimit Europian, deputetët socialistë janë mbledhur jashtë radhe dhe kanë hartuar një projektrezolutë ndryshe nga ajo e paraqitur nga PD.
Rezoluta inkurajon qeverinë për zbatimin e detyrave të vëna nga BE, në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit dhe do të jetë modeli bazë mbi të cilin, deputetët e mazhorancës do të pranojnë të negociojnë me ata të opozitës para votimit në parlament.
Anastas Angjeli:- “Është një rezolutë, e cila pa dyshim që mbështet qeverinë, por mbështet reflektimin e të gjithë grupit parlamentar dhe i bënë thirrje dhe institucioneve të tjera që të reflektojnë aq sa është e mundur për të realizuar në kohën më të shpejtë ato që duhet”.
Bardhyl Agasi:- “Në qoftë se do të paraqiten ato dhe ne do të paraqesim rezolutën tonë, por gjithmonë të hapur për të pasur një rezolutë të përbashkët si parlament, do të ishte në dobi të të gjithëve do të thoja”.
Diskutimet e deputetëve të mazhorancës, do të hapen me fjalën e zv/kryeministrit Ilir Meta, ndërkohë që në listën e diskutimeve nuk do të jenë emrat e Ministrit të Arsimit Luan Memushi, Ministrit të Transportit Spartak Poçi, Ministres së Kulturës Arta Dade dhe Valentina Leskaj, për shkak se institucioni që ata drejtojnë nuk përfshihen në raportin kritik të BE./tvklan.al