Luciano Spalletti i ka ndaluar lojtarët të mbajnë kufje dhe ka vendosur kufizime strikte për videolojërat në përpjekjen e tij që Italia të mbetet kampione Europe.

Trajneri i të kaltërve është këmbëngulës për disiplinën dhe nuk ka humbur aspak kohë që ta bëjë skuadrën të kuptojë se ndodhet në Gjermani për punë. Madje ai ngryset kur gjatë seancave stërvitore dëgjon shumë të qeshura apo shaka kur përballja me Shqipërinë është vetëm një ditë larg.

Sipas Daily Mail, përpikëria është kyçe për Spalletti që i ndalon lojtarët të përdorin celularin gjatë vakteve. Takimet për taktikën zhvillohen në drekë, më pas hanë në 12:45 përpara stërvitjes së pasdites dhe darkën në orën 8.

Videolojërat mund të luhen vetëm në dhomën e posaçme të hotelit në Dortmund dhe lojtarët e kanë të ndaluar që t’i marrin me vete në dhomë.

Gianluca Scamacca e ka provuar grushtin e hekurt të Spalleti kur trajneri e la jashtë mini-turneut që u zhvillua në SHBA më herët këtë vit. “Nuk vjen këtu për të luajtur videolojëra deri në 4 të mëngjesit. Që tani do t’i lënë pajisjet në shtëpi dhe s’do t’i marrin më me vete”, shpjegoi Spalleti për këtë rast./tvklan.al