Bota po përballet me ndryshime drastike të klimës. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në fjalimin e tij vjetor. Sipas Guterres, 10 vitet më të nxehta janë regjistruar në dekadën e fundit, duke përfshirë edhe vitin 2024.

“Viti 2024,  ka qenë shumë i vështirë. Luftërat po shkaktojnë dhimbje, vuajtje dhe shpërngulje të mëdha. Pabarazitë kanë nxitur tensione dhe mosbesim. Sot mund t’u them zyrtarisht se sapo kemi kaluar një dekadë të nxehti vdekjeprurës”.

Guterres drejtoi edhe një thirrje për kombet për vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2025, vendet duhet ta vendosin botën në një rrugë më të sigurt duke ulur emetimet. Është e mundur kjo gjë. Unë shoh shpresë tek aktivistët që ngrenë zërin e tyre, tek humanitarët që kapërcejnë pengesa të mëdha për të mbështetur njerëzit si dhe vlerësoj vendet në zhvillim që luftojnë për klimën.”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nënvizoi “Paktin për të Ardhmen” si shenjë shprese. Pakti synon adresimin e sfidave të shumta të shekullit, nga konfliktet te ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut.

Shkencëtarët thonë se përgjysmimi i emetimeve të gazeve serrë që ngrohin planetin deri në vitin 2030 është thelbësor për të ndaluar rritjen e temperaturave me më shumë se 1.5 gradë Celsius. Por bota është jashtë objektivit dhe kështu moti ekstrem pritet të bëhet më i intensiv në të ardhmen.

Klan News