Policia e Korçës po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat në të cilat ndodhi aksidenti i së mërkurës, ku humbi jetën një 24-vjeçare greke dhe u plagos drejtuesi i mjetit. Ka qenë mjeti me targa greke ku ndodhej viktima që ka bërë manovër të gabuar në rrugë, pasi një kafshë i ka dalë papritur përpara.

Mjeti me targa greke ka kaluar në korsinë tjetër të rrugës, ku u përplas me një mjet tip “Benz” që udhëtonte në drejtim të Korçës. Nga hetimet dyshohet se të dy mjetet kanë qenë duke me shpejtësi tej normave të lejuara, çfarë solli përplasjen fatale, si pasojë e së cilës mbeti e vdekur në vend 24-vjeçarja.

Mësohet se viktima kishte ardhur në Korçë për pushime bashkë me të fejuarin e saj, i cili drejtonte mjetin që u përfshi në aksident.

Drejtuesi i mjetit “Benz” është shoqëruar në komisariatin e Korçës, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër ndodhet në spitalin e qytetit jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al