Artan Koçi tregon se para një viti, gruaja e tij Rudina Koçi, ndërroi jetë në Itali. Por kur u bë çregjistrimi, në vend të ç-së, në mbiemër u shkruaj c, sepse italishtja nuk ka ç. 

Në njësinë numër 1 në Tiranë nuk i dhanë asnjë zgjidhje. Prej një viti e ndjera ka mbetur pa u çregjistruar.

Gazetarja: Para një viti, zonja Rudina Koçi ka ndërruar jetë në Itali. Në vend të ‘ç’ në mbiemër i kanë vendosur ‘c’.

Specialistja: Ky më duket se e ka bërë shkresën.

Gazetarja: Dhe nuk i keni dhënë zgjidhje. Zonjë ju e njihni rastin?

Specialistja: Rasti ka qenë më parë, por nuk ka qenë tek unë. Por ç’rëndësi ka, ka qenë tek njësia. Ka ardhur 3 ditë tek unë mesa mbaj mend.

Gazetarja:  Ai ka 7 muaj që vjen këtu.

Specialistja: Dy ditë ka.

Gazetarja:  Dy ditë ka që vjen te juve.

Specialistja: Po.

Gazetarja: Do ta zgjidhim sot si ditë e tretë?

Specialistja: Jo, nuk e zgjidhim sot!

Gazetarja: Zonjë e keni një përgjigje për rastin.

Specialistja: Do ta jap përgjigjen, vetëm do të më presësh pak!

Gazetarja: Çfarë është bërë për rastin?  

Specialistja: Në vitin 2024, ka ardhur një udhëzim. Ta bëjë korrigjimin tek shteti ku ka ndodhur vdekja dhe të vijë të bëjë veprimet këtu.

Gazetarja:  Juve si zyrë e Gjendjes Civile, nuk e vërtetoni nga një certifikatë personale apo familjare, që Rudina Koçi është e njëjta Rudinë e cila ka ndërruar jetë në shtetin italian, Rudina Koci?

Specialistja: Jo nuk e vërtetojmë dot. Ta sjellë dokumentin nga andej të korrigjuar.

Gazetarja: Ju si specialiste e Gjendjes Civile, njësia 1, e keni përcjellë këtë problematikë tek Ministria e Brendshme?

Specialistja: Zotëria nuk ka bërë kërkesë.

Gazetarja-denoncuesit: Kur vjen fizikisht zëre se nuk ke ardhur….

Gruaja e Artanit trajtohej me Kemp, ndaj Stop pyet te Posta Shqiptare, zyra postare nr. 30, ku na thuhet se Kempi ka vazhduar 4 muaj pas vdekjes, por më vonë është ndërprerë, sepse nuk është rinovuar dokumentacioni.

Gazetarja: Kemi ardhur për një verifikim sa i përket të ndjerës Rudina Koçi. Ka ndërruar jetë që në Qershor të 2023 dhe duam të dimë gjendjen e pensionit, Kempin.

Specialistja e postës: Po, Kempi. Ka nga Bashkia korrikun, gushtin, shtatorin dhe tetorin. Deri këtu, s’ka më! E ka të ndërprerë nga Njësia Bashkiake. Po i ka pra në sistem të pa tërhequra zonjë!

Gazetarja: Në rregull, sepse personi ka ndërruar jetë, por thjeshtë është i pa çregjistruar dhe unë si gazetare erdha për të verifikuar si është situata. I ka tërhequr njeri?

Specialistja e postës: Jo, janë të patërhequra, janë në sistem.

Gazetarja: Në rregull nuk duhet të tërhiqen. Por më bën çudi përse e ka ndërprerë minibashkia ndërkohë që minibashkia është institucioni që nuk e çregjistron.

Specialistja e postës: Ndoshta për efekt dokumentesh.

Stop po ashtu mësoi se Ministria e Brendshme ka dy udhëzime, njëri prej të cilëve kërkon që për të ndjerën të saktësohet shkronja në Itali. Ndërsa i dyti parashikon zgjidhjen në gjykatë./tvklan.al