Qeveria po ndjek një politikë më të kujdesshme makroekonomike për të mos cenuar stabilitetin në vend.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, mbështet politikën për uljen e borxhit publik dhe të deficitit buxhetor, elemente të cilat kanë shkaktuar jo pak probleme në vendet e tjera, siç është rasti i Greqisë.
Ridvan Bode: “Ne kemi filluar një politikë të reduktimit gradual të borxhit dhe deficitit, edhe pse jemi në parametra krahasimisht më mirë në krahasim me vendet e tjera. Ne mendojmë që për një zhvillim dhe mbështetje të qëndrueshme më të mirë për ekonominë e vendit do kërkoheshin ritme ose nivele më të ulëta të borxhit publik dhe kjo përmes uljes graduale të deficitit të vendit.”
Numri një i financave theksoi edhe një herë se Shqipëria mbeti jashtë vorbullës së krizës botërore për shkak të furnizimit të ekonomisë me likuiditetin e nevojshëm dhe mbikëqyrjes efiçente të sistemit bankar.
Bode shtoi se mbikëqyrja duhet të forcohet më tej për t’i paraprirë çdo krize të mundshme.
Ridvan Bode: “Edhe pse sistemi ynë bankar ishte likuid dhe që sistem-mbikëqyrja jonë ishte efiçente, ne nuk mund të themi se një vijim, një persistim në kohë i problemeve në sistemin financiar të bankave të rajonit, të bankave që kanë bijtë e tyre në Shqipëri do të mund të kursejë një vend sado i izoluar apo sado avantazhi që mund të ketë një fazë fillestare. Unë jam i bindur që pas disa vitesh nuk do të mund të kemi të njëjtin mundësi, të njëjtin kapacitet për të menaxhuar presionet e një krize tjetër të mundshme, nëse nuk adresohet një mbikëqyrje e bazuar mbi kriteret dhe rregulla në nivel rajonal dhe pastaj edhe më gjerë”.
Deklaratat e kreu të financave u bënë gjatë një paneli diskutimesh mbi financimin e përgjegjshëm, organizuar nga Banka e Shqipërisë.
Në fjalën e vetë, guvernatori Fullani kërkoi transparencë më të madhe, sidomos për mikrokreditë.
Ardian Fullani: “Mungesa e transparencës nuk shfaqet vetëm në formën e fshehjes së qëllimshme të informacionit apo thjesht në neglizhencën, por edhe përmes zgjedhjes së mjeteve dhe formave të gabuara të komunikimit. Konstatoj se reklamat e financës për zhvillim, mikrokredisë, mund t’i hasësh vetëm në gurët e kilometrazhit apo në grafikët amatores që llangos bordurat e rrugëve nacionale, urave e më tej”./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro