Eurokomisioneri Johannes Hahn, në një konferencë për mediat nga Brukseli, ka deklaruar se Komisioni Europian do të paraqesë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Raporti i KE evidenton progresin e reformave të Shqipërisë dhe theksi vihet tek reforma në drejtësi.

Hahn u shpreh se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme, megjithatë theksoi se kjo punë duhet të vazhdojë. Edhe për Maqedoninë e Veriut, Hahn theksoi se KE do të rekomandojë hapjen e negociatave.

“Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka ndjekur reforma transformimin në sistemin e drejtësisë, Maqedonia e Veriut ka vazhduar me reforma dhe ka arritur një marrëveshje historike me Greqinë. Këto dy vende kanë përmbushur reforma nga ato që janë kërkuar. Tani këshilli të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni përsërit të njëjtat rekomandime për këshillin për të hapur negociatat e anëtarësimit. Për të pasur besueshmëri, Bashkimi Europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të saj dhe të japë një përgjigje të qartë dhe pozitive për vendet që kanë përmbushur detyrat, deklaroi eurokomisioneri Hahn. /tvklan.al

Raporti për Shqipërinë 2019