Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ministri i Mbrojtjes sot në kufirin verior. Incidentet e përditshme, gjendja e rëndë e krijuar në kufirin tonë verior pas bombardimeve të ndryshmë të ushtrisë Jugosllave, kanë detyruar Ministrin e Mbrojtjes Luan Hajdaraga dhe drejtues të tjerë të kësaj ministrie të shkojnë në Tropoj në kufirin me Serbinë.
Hajdaraga shkoi në pikat tona kufitare më të goditura nga artileria serbe, në atë të Kamenicës, Golaj, Morinës dhe Qafe Prushit. Në brigadën e Topojës ministri Hajdaraga u njoh nga afër me situatën luftarake si dhe me masat e marra nga ushtria shqiptare në mbrojtje të integritetit të vendit tonë.
Pikërisht kjo brigadë më datë 11 Maj u përgjigj me tërë forcën e saj një sulmi të Jugosllavëve, gjurmët e betejës së cilës kanë mbetur tepër të dukshme. Një nga ushtarët shqiptar tregon se më datë 11 Maj është marrë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për të hapur zjarr kundër forcave ushtarake serbe që ishin futur në territorin tonë. Në këtë situatë luftimesh kanë ngelur rreth dhjetë veta të vrarë nga forcat serbe në territorin tonë.
Hajdaraga shkoi për të parë nga afër pozicionet e përparuara të ushtrisë sonë në Kamenicë, vetëm pak metra larg forcave serbe. Edhe në Golaj krerët e mbrojtjes shqiptare porositën forcat kufitare të vazhdonin përgjigjen e zjarrit me zjarr çdo provokacioni serb. Në këtë pjesë të kufirit tonë janë dislokuar një pjesë e mirë e forcave tona ushtarake, duke përfshirë dhe komandot speciale të Ministrisë së Mbrojtjes.
Tanke, mortaja, anti-ajror, anti-tanke, mitraloz të rëndë janë dislokuar në këtë pjesë të kufirit të gatshëm për tu përdorur në çdo moment. Vetëm 24 orë më parë artileria serbe goditi në Krumë duke lënë dy viktima. Ndërsa sot nga predhat serbe janë plagosur tre vetë, dy kufitarët tanë dhe një gazetar i huaj. Gjendja e rëndë në kufirin tonë mund të vazhdoj dhe për shumë kohë.
Ndërkohë që vetë Ministri i Mbrojtjes Shqiptare ndodhej ne kufi për të kontrolluar por dhe për të rritur mralin e kufitarëve tanë, 660 burra kosovarë kaluan kufirin duke hyrë në pikën e Morinës./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj