Protestë për sigurinë në shkolla këtë të Enjte. Qytetarë të shumtë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu. Një nga protestueset bëri thirrje që qeveria të ngrejë struktura për mbrojtjen e të miturve, pasi sipas saj mbyllja e TikTok nuk është zgjidhja.
“Në fjalimin që mbajti ministrja në parlament më erdhi shumë çudi që tha ngjarja ndodhi jashtë shkollës, si kërkoi të heqë përgjegjësinë për ngjarjen?! Prindërit mbarojnë punën, 2 orë në trafik, në 8 të darkës merret me fëmijën. A e kuptoni se në çfarë gjendje ekonomike jemi ne?! Zonja ministre, të duhet të nxjerrësh moralin në këto momente dhe të kuptosh që shkolla e arsimi po vdes. Po vdes një komb, po na vdesin fëmijët në mes të rrugës dhe kjo është e tmerrshme!
Nuk arrijnë dot familjet shqiptare të sigurojnë muajin dhe janë të traumatizuar. Një ekonomi e dobët sjell vrasje. Ne hapim burgje, por jo teatro e kinema. Nuk hapim muzeume që fëmijët të edukohen. Mbyllja e TikTok nuk është zgjidhje, ka plot platforma. Nuk është kjo zgjidhje, sigurisht ka sjellë dëme të jashtëzakonshme, por duhet një zgjidhje më racionale”, tha ajo.
Ky tubim në formë sensibilizimi vjen pas vrasjes tragjike të 14 vjeçarit te shkolla “Fan Noli” në Tiranë.
/tvklan.al