Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Slloveni, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi.
Haradinaj tha se bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Slloveni kanë dhënë kontribut të çmuar në forcimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Duke ditur rolin e rëndësishëm të diasporës në të gjitha etapat e shtet ndërtimit të Kosovës, qeveria është kujdesur që të jetë sa më afër kërkesave të bashkatdhetarëve tanë në diasporë, përmes mekanizmave brenda vendit dhe ambasadave të Kosovës në botë”.
Haradinaj tha se diaspora kosovare në Slloveni ka qenë urë lidhëse dhe e forcimit të miqësisë me shtetin slloven.
Ai gjithashtu bëri të ditur se qeveria e Kosovës do të jetë afër tyre përmes lehtësimit të procedurave për investimet nga diaspora, në mënyrë që zhvillimi i afarizmit të tyre të jetë i suksesshëm dhe në të njëjtën kohë të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik të vendit./KlanKosova