Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin edhe njëherë mbështetjen për qeverie shqiptare dhe angazhimin për të bashkëpunuar me të, si dhe vlerësime për arritjet e katër viteve të shkuara të qeverisë së djathtë.
Së fundi, këto mesazhe të qarta i janë përcjellë Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, nga sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.
Në një letër drejtuar zotit Basha, sekretarja Klinton e uron atë për emërimin në postin e ministrit të brendshëm dhe i shpreh dëshirën e bashkëpunimit të mëtejshëm, por në veçanti zonja Klinton thekson arritjet e tij në drejtimin e Ministrisë së Jashtme.
Kryediplomatja amerikane shkruan se ministri Basha e lë Ministrinë e Jashtme me arritje të jashtëzakonshme të futjes së Shqipërisë në NATO dhe garantimin e një trashëgimie sigurie dhe bashkëpunimi euroatlantik për popullin shqiptar.
Një falënderim i veçantë i shkon ministrit Basha për mbështetjen e jashtëzakonshme që ai i dha Kosovës për t’iu bashkuar familjes se kombeve.
Gjithashtu, zonja Klinton shpreh kënaqësinë për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re, me homologun e saj Meta, për të realizuar qëllimin e përbashkët të një Evrope Juglindore në Paqe dhe Prosperitet.
Në mbyllje të kësaj letre ku i uron zotit Basha urimet më të mira për detyrat e reja, sekretarja Klinton shprehet e sigurte se rrugët e saj dhe ministrit të ri të brendshëm të Shqipërisë do të takohen sërish./tvklan.al