Mazhoranca ka ripërsëritur nga foltorja e parlamentit qëndrimin e palëkundur të saj për të zbardhur të gjitha krimet e bëra gjatë sistemit totalitar.
Duke ju referuar gjetjes së varrit masiv në zonën veriore të Tiranës, në Komunën e Dajtit, demokrati Aldo Bumçi tha se zbulimi i kësaj varreze është një kambanë kujtese për mazhorancën, përpara së cilës sipas tij, del një detyrim madhor, ai për të mos lënë në harresë krimet monstruoze të regjimit komunist.
Sipas tij miratimi i ligjit të lustracionit dhe dëmshpërblimi ndaj të martirizuarve përgjatë 5 dekadave është një tjetër angazhim madhor i ekzekutivit.
Aldo Bumçi: “Pse në organet e drejtësisë shqiptare prokurori, gjykata vazhdojnë të jenë mbetje të diktaturës. Zbulimi i eshtrave duhet të na nxisë të jemi më të ndjeshëm ndaj vuajtjes së njerëzve në diktaturë. Por ne kemi detyrimin madhor në respekt të atyre që vuajtën, por jo vetëm në respekt të atyre që vuajtën, për hir të shpirtit tonë, për hir të ekuilibrit të një shoqërie të tërë të mos lëmë në harresë trashëgiminë e krimit komunist. Por dëmshpërblimi duhet të shikohet si një mënyrë për të zbutur vështirësitë që ato sot kanë kur përballen me jetën dhe si një nevojë e jona për të njohur vuajtjen, historinë e vuajtjes dhe qëndresës në diktaturë, vlera pa të cilat kjo shoqëri nuk do jetë njerëzore.”
Ky qëndrimi i zotit Bumçi vjen pas vendimit që mori qeveria për ngritjen e një task-force për të gjetur eshtrat e të ekzekutuarve nga regjimi komunist.
Pak ditë më parë ishte vetë kryeministri Berisha ai që i ftoi deputet demokratë të votojnë në parlament ligjin për Institucionin e Kujtesës Kombëtare, që synon sipas mazhorancës të zbardhë të vërtetën e barbarive të sistemit totalitar përgjatë 50 viteve në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro