Trajneri portugez nuk la gjurmë në kombëtaren polake
Golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut shkarkojnë trajnerin e Polonisë. Fernando Santos nuk është më trajner i skuadrës polake, pasi është shkarkuar këtë të mërkurë.
Lajmin e bëri të ditur Federata Polake e Futbollit në një komunikatë zyrtare, ku thuhet se që nga data 13 Shtator 2023, Fernando Santos pushoi së qeni trajner i Kombëtares Polake.
Ndërsa falenderoi Santosin për bashkëpunimin, Presidenti i Federatës Polake Cezary Kulesza bëri të ditur se shumë shpejt do të prezantohet edhe trajneri i ri.
Nuk ka munguar as reagimi i teknikut portugez, i cili thekson se edhe pse bashkëpunimi u ndërpre, i është mirënjohës polakëve që i besuan drejtimin e kombëtares së tyre.
68-vjeçari largohet nga pankina polake pas rreth nëntë muajsh, pa lënë asnjë shenjë pozitive të pranisë së tij edhe pse më herët me kombëtaren portugeze kishte arritur shumë.
Mungesa e rezultateve pozitive kulmoi me humbjen e Tiranës që në Poloni u cilësua si katastrofike.
Polonia rrezikon të mos kualifikohet në Europian pasi në grupin E, që kryesohet nga Shqipëria, gjendet e parafundit. Sfidat e radhës do të jenë shumë të vështira për këtë përfaqësuese.
Nën drejtimin e Santos, Polonia fitoi 3 takime, mes të cilave miqësorja me Gjermaninë dhe humbur po tre. Kritikat ndaj trajnerit ishin jo vetëm për rezultatet, por edhe për lojën e shfaqur nga ekipi.
Tv Klan