Kina ka shpallur tarifa hakmarrëse për disa mallra amerikane, pasi tarifat amerikane për të gjitha mallrat kineze hyjnë në fuqi.
Tarifat kineze importi prej 15% u vendosën për qymyrin dhe gazin natyror të lëngshëm në SHBA, plus 10% për naftën bruto, makineritë bujqësore, kamionët transportues dhe disa makina sportive.
Kina gjithashtu shpalli një hetim antimonopol ndaj Google. Presidenti Trump thotë se tarifat kineze janë një përgjigje ndaj deficitit tregtar dhe dërgimit të fentanilit në SHBA.
Pekini akuzoi administratën Trump për thyerjen e rregullave të tregtisë ndërkombëtare.
“Vendosja e njëanshme e tarifave nga SHBA-ja shkel seriozisht rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ajo jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të veta, por gjithashtu minon bashkëpunimin normal ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe SHBA-së,” thuhet në një deklaratë.
Tarifat e reja ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 10 Shkurt, tha Ministria kineze. Lëvizja përshkallëzon tensionet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe Trump pritet të flasin këtë javë.
Gjatë mandatit të tij të parë në 2018, Trump inicioi një luftë tregtare 2-vjeçare me Kinën me tarifa të vogla për mallra me vlerë qindra miliarda Dollarë, duke përmbysur zinxhirët globalë të furnizimit dhe duke dëmtuar ekonominë botërore.
Në anën tjetër, tarifat e SHBA-së për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika që pritej të hynin në fuqi të martën, u shtynë me 30 ditë pasi këto dy vende ndërmorën veprime për t’i adresuar shqetësimet e tij mbi sigurinë kufitare dhe trafikimin e drogës.
Presidentja Claudia Sheinbaum ra dakord të dislokojë 10,000 trupa shtesë në kufirin me SHBA-në, për të ndaluar fluksin e emigrantëve dhe drogave.
Pas Presidentes meksikane, Trump bisedoi edhe me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, vendi i të cilit tashmë ka njoftuar tarifa hakmarrëse prej 25 për qind për mallrat amerikane. Nga zyra ovale, Trump u ankua se Kanadaja është shumë e vështirë në negociata.
Klan News