Deklaratat kundër Elsi Hysajt nga tifozët nxitën lajme se futbollisti kishte mbyllur rrjetet e tij sociale dhe më pas ishte rikthyer për të kërkuar falje. Gazetari Gentian Alinani sqaron për “Shije Shtëpie” në Tv Klan se në të vërtetëlojtari ka 2 muaj që mungon në platformat sociale.
“Ka pasur dy muaj më përpara të mbyllura profilet e tij në Instagram, kjo është e vërteta se ka qarkulluar lajmi që i mbylli direkt pas ndeshjes, por i ka pasur të çaktivizuara, arsyet nuk i di pse”.
Ish-futbollisti Ditmar Bicaj theksoi se Europiani dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në të duhet shijuar në maksimum. Gjithashtu u shpreh se nuk ka asgjë për të cilën Hysaj duhet të bëhet fajtor. Ndër të tjera, Bicaj tregoi edhe për efektin psikologjik që një eksperiencë e tillë krijon te lojtari. Sipas tij, Hysaj ka kaluar 48 orët e fundit pa vënë gjumë në sy.
“Unë të siguroj që këto 48 orë ai nuk ka fjetur gjumë. Ai ka pasur 48 orë jashtëzakonisht shumë të vështira. Mos harro se kudo që të hapësh një portal sporti në Shqipëri, do të gjesh komente negative pafund për Hysajn. Është krijuar një frymë anti-Hysaj, nuk e kuptojmë as unë pse. Mos të harrojmë se ka 85 ndeshje me kombëtaren dhe ne si njerëz duhet të kemi një lloj mirënjohjeje për këtë person sepse e ka veshur 85 herë fanellën e kombëtares dhe ka kontribuar”.
Duke rënë dakord me këtë mendim, Alinani shtoi se Hysaj është futbollisti që përballet me presionin më të madh dhe lëvizjet e tij në çdo ndeshje janë vendosur në lupë. Por, vijoi ai: “Është një lojtar që ka edhe eksperiencën për ta përballuar këtë lloj presioni. Ndonjëherë këto momente ndyrshojnë edhe fatet e skuadrës dhe vetë lojtarit, mund të shërbejnë si një motivim ekstra, të zbresë në fushë dhe të bëhet ai lideri që kemi pritur”, përmbylli Alinani./tvklan.al