Irinda Shala, vajza e çiftit Shala e birësuar 6 muajshe dhe avokatja e saj Nertila Qordja denoncojnë, se të moshuarit me probleme të shëndetit mendor u grabitën në vitin 2015 nga nipi, Emil Babameto. Ajla përfitoi në atë kohë rreth 100 milionë lekë kompensim me vendim nga Strasburgu, si pronare e tokës së ish-ambasadës kineze.

Nipi duke abuzuar me gjendjen e tyre mendore i futi në sherr me vajzën Irindën duke nxjerrë pretendimin se ajo nuk ishte bijë gjaku. Ai mori çiftin e moshuar Shala, e çoi në bankë duke thënë se banka do të falimentonte e duhet t’i merrnin lekët në shtëpi. Ajla dhe Silvio bashkë me nipin Emilin i tërhoqën paratë që i mori ky i fundit. Irinda, vajza e çiftit bëri denoncim në prokurori, por prokurori që kishte dosjen e pushoi çështjen me justifikimin se çifti i kishte tërhequr vetë paratë nga banka.

 “Irinda është një fëmijë i birësuar në një moshë shumë të vogël 6 mujore. Është birësuar nga prindërit e saj Ajla dhe Silvio. Në vitin 2015 nëna e saj përfitoi një fond nga Gjykata e Strasburgut në vlerën 97 milion lekë të vjetra si rrjedhore e shpronësimit të një ish-prone që kishin në bashkëpronësi të ish-ambasadës Kineze. Nga ky moment në familjen Shala na vijnë, afrohen familjarë të zonjës, konkretisht vetëm nipi i saj Emil Babameto. Ky tregon një afrimitet, bën vizita më të shpeshta, domethënë gjithçka ndryshon në një rutinë në familjen Shala. Të dy prindërit e familjes Shala janë të sëmure, me kartelë që nga viti 2015. Mësojnë që këtë fond nuk do e lemë në bankë sepse do të falimentojnë, do të mbyllen dhe të gjitha këto. Dhe i shoqëron vetë Emil Babameto për t’i marrë këto lekë në bankë sepse ishin më të sigurta sipas tij në shtëpi. U bë një kallëzim në lidhje me lekët nga Irinda sepse lekët që mamaja pretendoi, që shkoi bashkë me Emilin në bankë nuk erdhi me lekë me vete. Nga ky moment u bë një kallëzim sepse u mashtrua. Shkoi në bankë dhe erdhi pa asnjë lekë. Ky kallëzim është pushuar sepse prokurori e gjeti të arsyeshme që këto lekë janë tërhequr nga vetë zonja në bankë dhe nuk kemi një çështje penale se çfarë ka ndodhur më pas”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” avokatja Nertila Qordja.

Nga videoja e filmuar në vitin 2016 para se Ajla Shala të ndërronte jetë, kuptohet se për shkak të probleme me shëndetin mendor, nuk ka qenë e vetëdijshme për veprimet që ka bërë i nipi.

Dëshmi ekskluzive e Ajla Shalës e sëmurë e shëndetit mendor në vitin 2016 përpara se të ndërtonte jetë po në atë vit.

Irinda Shala: Pra ti ishe bashkë me Milin (nipi, Emil Babameto) atje në sportel tek banka. Të dy bashkë  i tërhoqe? Po ku i vutë? Në ndonjë vend tjetër, apo i mori ai?

Ajla Shala: Bashkë, bashkë më Milin… Ai i mori më duket, ato të voglat na i dha neve, i mori ai, i bëri ato veprimet me të, se ç’bëri veprimet, edhe i mori. S’ia vlen t’i lesh, se nuk dihet, se çdo bëjnë këta, tha…

Irinda Shala: Ju dha ndonjë lek juve?

Ajla Shala: Ja me ato të voglat, që janë si kusure…

Irinda Shala: Sa? 100 mijë lekë ? 200 mijë lekë? Sa?

Ajla Shala: Po jo hiç, këto të voglat, s’i mbaj mend fare.

“Sipas dëshmive të dhëna nga shtetasi Emil Babameto në prokurori është deklaruar që halla i tërhoqi në lek dhe e kam shoqëruar në shtëpinë e saj se ishin më të sigurta lekët”, thotë më tej avokatja.

Irinda Shala thotë se prindërit nuk i kanë thënë asnjëherë që është fëmijë i birësuar dhe këtë e ka mësuar shumë vonë.

 “Mua nuk më është thënë asnjëherë nga prindërit e mi që jam një fëmijë i birësuar, kemi pasur një familje normale dhe kemi jetuar si gjithë njerëzit e tjerë me gjithë të mirat dhe të këqijat që mund të jenë brenda një familjeje. Vetëm shumë vonë unë kam kuptuar thelbin që gjithçka që ka ndodhur në jetën time dhe në gjithë këtë histori tragjike që i është krijuar familjes sime dhe mua personalisht është fakti që unë kam qenë një fëmijë i birësuar dhe unë e kam marrë vesh pikërisht shumë vonë”, tha denoncuesja, Irinda Shala.

Në vitin 2018, pasi Ajla Shala kishte dy vjet që kishte ndërruar jetë Emil Babameto fut në sherr Silvion me vajzën duke shfrytëzuar sëmundjen e tij mendore pas së cilës ai merrte mbeturina e i fuste në shtëpi. Emili i hoqi ilaçet Silvios, që të rëndonte situatën dhe ta manipulonte atë.

Irinda 28-vjeçare, që nuk kishte dijeni, që ishte e birësuar shkon të punojë si mësuese anglishteje në Kinë dhe i moshuari mbeti plotësisht në dorë të nipit, Emilit, i cili i mori gjithë pasurinë.

“Me ndërrimin e jetës së mamasë, në Mars të vitit 2016 më saktë, situata është agravuar nga nipi i mamasë, djali i dajës duke kundërvënë babain dhe duke hapur urdhra mbrojtje e duke stisur situata nga më të ndryshmet në mënyrë që të më konfuzonte dhe unë të mos merresha realisht me thelbin se çfarë po ndodhte, po të merresha me çështje ligjore apo prokurorie. Më pas duke u gjendur dhe në një gjendje shumë të vështirë ekonomike, mu ofrua një mundësi shumë e mirë punësimi. Jam larguar në Kinë”, tha më tej denoncuesja.

Në vitin 2020 nipi, Emili, ndërroi jetë nga Covidi. Bashkëjetuesja e tij Elda Dedja, ditën e vdekjes përmes një prokuroreje që i jepte të drejtë të administronte pronat e firmës që të ndjerit Babameto, kaloi pasuritë në emër të saj dhe të bijës përfshirë apartamentin e Silvio Shalës.

“Silvio ia ka dhënë në këtë fond, që unë po të dhuroj meqë ti po më thua do të bëhem bir shpirti yt. Që ti do të kujdesesh për ilaçet, mjekimet, për çdolloj gjëje derisa unë të kem jetë, e më pas do e kalosh në emrin tënd. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur. Është bërë një kontratë e rendies jetësore pa pasur certifikatë e asnjë gjë. Kontrata e rendies jetësore është bërë në këtë formë që duhet të kalonte pronësia pas vdekjes së zotit Silvio. Në rastin konkret nuk ka ndodhur kështu, kjo kontratë ka kaluar në ASHK, ka kaluar në emrin e Emil Babameto”, sqaroi avokatja.

“Djali i dajës pasi përvetësoi pjesën ¾ të babait tim, ai ndërroi jetë në Gusht të vitit 2020 dhe e dashura e tij, ose bashkëjetuesja kaloi brenda ditës, ditën që ai ka ndërruar jetë ia ka kaluar këtë prona të tjera të bijës së vetë“, tha denoncuesja.

Pas vdekjes së Emil Babameto në skenë hyn bashkëjetuesja e tij Elda Dedja.

“Ka pasur një prokurë të përgjithshme ku disponohej që të gjitha pronat e shoqërisë dhe të personit fizik Emil Babameto, mund t’i tjetërsonte, t’i shiste e të gjitha me radhë. Ai është shtruar që prej muajit Korrik të vitit 2020 në intubim, vërtetohet nga dokumentacioni mjekësor. Dhe pikërisht në ditën që ka ndërruar jetë, po në datën 6 Gusht që ka qenë në intubim të gjitha veprimet nga bashkëjetuesja janë kryer duke ia dhuruar vajzës së saj. Elda Dedja të gjitha pronat ia ka dhuruar vajzës së saj, po me prokurë nga vajza  dhe në një moment të dytë ka bërë pranimin e dhurimit të kryer po nga mamaja e saj”, tha avokatja Nertila Qordja.

Elda Dedja: Po nga data 8 gusht, kur e kam takuar për herë të parë Silvion, mbas vdekjes së Emilit. Po të siguron Elda, që jo vetëm, që i kam dhënë lekë…

Irinda Shala: Kur e ke takuar për herë të parë babin?

Elda Dedja: 8 Gusht, mbas vdekjes së Emilit, 2020.

Irinda Shala: Ke qenë ndonjë herë në shtëpinë e babit më parë?

Elda Dedja: Ç’më duhet shtëpia jote mua…?!

Irinda Shala: Ç’të duhet.. për çfarë më duhet shtëpia mua…

Irinda Shala: Për të kaluar firmat të duheshe, normale, ti ke marrë pasurinë e babit, ia ke kaluar vajzës tate…

Elda Dedja: Ia ka marrë Emil Babameto, jo unë. Ia ka marrë…

Irinda Shala: E di, e di…!

Elda Dedja: Ia ka marrë Emil Babameto dhe ti këtë e di shumë mirë.

Irinda Shala: Emil Babameto ia ka marrë me rentën jetësore. Pa vdekur babi, nuk mund të kalonte apartamenti në emër të Emilios…

Elda Dedja: Emil Babameto, aaa e mirë vazhdojmë gjyqin, siç e kemi nisur dhe jemi në rregull.

Elda Dedja: Ti s’je e bija, ti s’je e bija…, kur të vdes Silvio, do t’i bëjë varrin, siç ma ka lënë që sot e tutje kujdesu ti, mua ma ka lënë amanet.

Irinda Shala: Jo, jo me amanet, me dokumente të shkruara…

Elda Dedja: Edhe unë me të shkruara i kam…

Përmes një tjetër deklarate, ajo i merr të moshuarit pensionin. Në këtë kohë apartamenti i Silvios digjet dhe ky i fundit çohet në azil shtetëror.

 “Kemi një akt tjetër noterial, një prokurë të posaçme 7 Maj 2021, ku zonja Elda ka të drejtë të paraqitet pranë bankave, institucioneve dhe postave për të përfituar pensionin e zotit Silvio që është në masën 219 mijë lekë të vjetra dhe këtë pension e përfiton sistematikisht nga data 7 Maj 2021 dhe në vijim dhe e përfiton të plotë. Pavarësisht se ka kaluar në emër të vajzës së vet apartamentin e Silvios dhe rikompensimin e ujit dhe dritave, edhe pse i ka vënë banesës zjarrin dhe ka shkuar të marrë lekët në emër të Silvios, por është stopuar sepse nuk ka pasur pëlqimin e bashkëpronares tjetër. Dhe së fundmi ajo që është më e shëmtuar se kaq, kemi një deklaratë noteriale tjetër të bërë nga Elda e cila merr në dorëzim kursimet e tij të mbetura, të cilat do i përdor në çdo institucion kur ta varrosë”, tha më tej avokatja./tvklan.al