Nënkryetari i Parlamentit Agron Gjekmarkaj doli në protestë këtë të Hënë, por përfundoi në spital pas një problemi shëndetësor. Si ai dhe kolegët e tij demokratë pretendojnë për dhunë nga ana e Policisë së Shtetit, ndërkohë që kjo e fundit e ka mohuar këtë gjë. Analisti Mark Marku foli sonte në studion e “Opinion” si një mik i Gjekmarkajt, duke theksuar se “atij s’i ka rënë të fikët në më shumë se 30 vjet që e njeh”.
“Të vërtetën e shpjegon vetë Gjekmarkaj. Unë e kam shumë mik dhe e njoh personalisht me të gjitha shqetësimet, siç njeh ai shqetësimet e mia. Nuk ka probleme me zemrën, nuk i ka rënë ndonjëherë të fikët mesa mbaj mend unë, ka mbi 30 vjet. Nuk mund t’i binte të fikët vetvetiu në rrugë. Patjetër, nëse ai e thotë që ka pasur dhunë policie, unë jam totalisht i bindur që ka pasur dhunë policie. Pse duhet t’i binte të fikët një njeriu në gjendje normale, që në këto 30 vjet unë nuk i njoh asnjë situatë të tillë?! Në një protestë ku ushtrohet dhunë ndaj të tjerëve, gjasat më të mëdha janë që ai të ketë pësuar një goditje aty. Nuk është i dobët, nuk është plak”, tha Marku.
/tvklan.al