Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka hyrë në burgun e Peqinit për të realizuar një reportazh. Një ndër ambientet ku u lejua të xhironte ishte edhe kuzhina e burgut.
Menuja ditore në burgun e Peqinit konsiston në tre vakte ku mëngjesi përfshin çaj, reçel dhe qumësht, dreka makarona ose pilaf shoqëruar nga një gjellë dhe darka që përfshin gjithnjë fasule dhe djathë.
Gazetarit Blendi Fevziu i bën përshtypje ky detaj dhe provon fasulet që u shërbehen të burgosurve.
Blendi Fevziu: Po fasulet nuk i ndakeni në darkë.
Kuzhinierja: Fasulet jo.
Blendi Fevziu: I bëni të mira fasulet?
Kuzhinierja: Provoji.
Blendi Fevziu: Po jo more a i bëni të mira, si të provoj unë të të burgosurve se është gjynah t’ia ha edhe një lugë më pak.
Kuzhinierja: A e ha ti?
Blendi Fevziu: Po hajde ma sill njëherë ta provoj. Po s’do e quash te gramatura e të burgosurve.
I burgosuri: Të japim nga pjesa jonë.
Blendi Fevziu: Më jep nga pjesa jote se ti ha.
Kuzhinierja i jep Fevziut një lugë dhe një pjatë plastike. Ajo i hedh pak fasule dhe pret ‘gjykimin’ e gazetarit.
Blendi Fevziu: Kjo është darka që shërbehet në burg. Të mira i paske bërë, i paske hedhur ca më shumë kripë më duket.
Kuzhinierja: Po ca e duan me më shumë kripë, ca nuk e duan me shumë. Nuk e di, varet sa e shijon ti. Ti je kundër kripës me sa kam dëgjuar në televizion.
Blendi Fevziu: Nuk e kam shumë qejf, me sheqerin jam mirë. Të lumshin duart!/tvklan.al