Policia e Shtetit ka shpërndarë pamjet e momentit kur kanë vënë në pranga të shumëkërkuarin Marklen Haka.
Uniformat blu, në një njoftim për mediat thonë se operacioni për kapjen e Hakës ka filluar që me datë 2 Shtator dhe vetëm sot, pas 4 ditësh është mundur të finalizohet.
“Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu. Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë. Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë”, njoftoi policia.
Operacioni është koduar “Liqeni i Bacungut” për shkak të vendndodhjes se banesës ku fshihej Haka. 33-vjeçari sapo ka kuptuar që po ndërhyjnë forcat RENEA, ka tentuar të arratiset këmbëzbathur, por u arrestua.
Bashkë me të janë dhe 4 persona të tjerë të ndaluar, por ende nuk ka një akuzë ndaj tyre. Të pyetur se kujt i përket arma e gjetur në banesë, ata nuk kanë pranuar të jetë e ndonjërit prej tyre. Për këtë arsye pritet të komunikohet akuza e armëmbajtjes pa leje.
Ndërkohë Marklen Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje (Lexo më shumë)./tvklan.al