Këtë të shtunë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë e ftuar sipërmarrësja sociale, Daklea Shtylla, e cila ka rrëfyer një nga udhëtimet më të tmerrshme që ajo ka përjetuar ndonjëherë.

Shtylla kishte shkuar me bashkëshortin e vet në Spanjë, në ishullin e Tenerifes, kur krejt papritur pandemia ra kudo nëpër botë.

Momenti kur ata ndodheshin në aeroport, i cili ishte rrethuar nga tanke, ishte më i vështiri, pasi morën lajmin që nuk mund të hipnin dot në avion. Në këtë moment ata duhet të mendonin se ku të “fusnin kokën”, ndërkohë që hotelet dhe “Airbnb”-it ishin mbyllur.


Daklea Shtylla: Atje ne shkuam për të qëndruar një javë. Tre ditët e para patëm mundësi të shikonim ato vende që i kishim planifikuar për të parë, pastaj u mbyllëm dhe unë kam përjetuar një situatë të tmerrshme. Sepse në momentin që do të merrnim avionin për t’u kthyer, ne na thanë… ja, aty është aeroporti i Tenerifes dhe aeroporti ishte mizë lisi. Domethënë, ku ishte korona atje edhe ku ishte situata ku ti duhej të ruheshe apo maskat, ndërkohë që të gjithë njerëzit donin të largoheshin. Ekipi na thotë: “Ju nuk hipni dot në avion! Ju do qëndroni këtu sepse qeveria gjermane ka nxjerrë urdhër, që kush nuk është shtetas gjerman, nuk hyn në gjermani”. Aeroporti u rrethua me tanke, filloi shi, karikues mjaftueshëm nuk kisha në telefon. Dhe ndërkohë që ti duhet të sistemoheshe, hotelet u mbyllën, “Airbnb” nuk kishe. Kalon një stjuardesë edhe i them: “Të lutem, mos di ndonjë person që jep shtëpi me qira?” edhe ajo thotë: “Po, njoh një”. Zonja ishte në Angli dhe kishte në pronësi disa apartamente dhe na dha mundësinë që të shkonim e të strehoheshim në shtëpi, por ndërkohë çdo gjë ishte alert, sepse ti nuk e dije sa kohë do qëndroje.

Në apartament kishim probleme me internetin. Nuk dëgjoje dhe nuk shihje asnjë komshi, asnjë derë të hapej. Rrugët ishin bosh, një situatë zombi. Ne kemi qëndruar atje deri në datën 28 mars. Pra, ne kemi qëndruar atje plot 2 javë, më shumë se sa kishim planifikuar. Mbaj mend ambasadorin tonë në Spanjë, me të cilin komunikonim dhe i thoshim: “Si i bëhet?” Tani, ai thoshte: “Shiko Daklea, unë Ambasadën e përballë, një qendër shëndetësore që gjithë kohës kam parë makina të bardha dhe gjithë këto kohë shoh makina të zeza. Kështu që unë vi ju marrë, po ku do shkoni?” Aty dy javë ne thamë: çfarë nuk pret nga jeta. Ne ishim të dy bashkë, në mes të asgjësë. Mund të ndodhte edhe që të sëmureshim, mund të ndodhte edhe të ndërronim jetë në atë apartament, por ishim bashkë. /tvklan.al