Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Operacionet e fundit të policisë shqiptare për bllokim e sasive të drogës, kanë sjellë në Tiranë drejtorin e anti-krimit në policinë italian Luigi De Sena. Kreu i anti-krimit të shtetit italian është takuar me ministrin e Rendit Toska dhe drejtorin e policisë Ibraj, të cilët i ka përgëzuar për bllokimet e fundit duke i premtuar tashmë më shumë informacione për përgatitjen e rrjeteve të drogës.

Ministri i Rendit është shprehur se policia shqiptare do të vazhdojë operacionet për goditjen e trafikut të narkotikëve, duke cilësuar se viti 2004 është shpallur vit i luftës kundër drogës. Pala italiane ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete, të cilat do të bëjnë të mundur zbardhjen dhe veprimin kundër grupeve kriminale italo-shqiptare, që veprojnë në të dy vendet.

Në takim është shprehur, se bashkëveprimi ndërmjet dy policive ka ekzistuar dhe më parë, por reagimi i shpejtë i policisë shqiptare, sidomos në pikën e kontrollit të komisariati të portit Durrës, ka bërë që pala shqiptare të fitojë besimin e strukturave italiane të anti-krimit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj