Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ish-kryeministri Ilir Meta i është drejtuar Presidentit të Republikës dhe komisionit të posaçëm parlamentar, për të mos lejuar që SHISH të veprojë si një organizëm i politizuar, i vënë në shërbim të ambicieve për pushtet personal të një individi. Meta akuzon se punonjës të SHISH kanë synuar të organizojnë një anti-miting në Pezë, për llogari të kryeministrit Fatos Nano.

Kjo veprimtari anti-kushtetuese e punonjësve të SHISH dhe shefave të tyre politikë është në vazhdën e ndjekjes, përgjimit dhe survejimit, të cilit u janë nënshtruar dhe më parë individ të ndryshëm që kontaktonin me mua, madje dhe individ të mbrojtur ligjërisht me imunitet, nga ana e segmenteve të caktuara, thuhet në deklaratën për shtyp të zyrës së ish-kryeministrit shqiptar.

Për këtë arsye Ilir Meta i ka kërkuar personalisht prej kohësh Irakli Koçollarit, inspektorit të përgjithshëm të kryeministrit në SHISH, që të ndërpritet veprimtaria anti-kushtetuese. Ish-kryeministri Meta në deklaratën e tij thotë, se përpjekjet e fundit të këtyre segmenteve për të sabotuar një veprimtari të ligjshme në Pezë, tregojnë se urdhëruesit e shkeljeve kushtetuese ligjore, nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga këto praktika tashmë të vjetëruara të sigurimit të shtetit dhe të sigurimit të Gazi Dedes./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj