Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha mori pjesë në inaugurimin e zyrës së emigracionit në qytetin e Elbasanit.

Hapjen e kësaj zyre kreu i Ministrisë së Brendshme e cilësoi si një komponent të rëndësishëm për liberalizimin e vizave, por edhe një tregues të qartë të plotësimit të standardeve të Bashkimit Evropian.

Lulzim Basha: “Ky standard investimi këtu nuk lë asgjë për të dëshiruar në krahasim me standardet që kanë zyrat analoge në vendet e hapësirës së Bashkimit Evropian dhe në vendet e hapësirës së zonës Shengen. Është një demonstrues i qartë, një tregues tjetër i qartë i standardit që ka arritur sot policia kufitare të emigracionit të Republikës së Shqipërisë, që shkon përtej asaj që kërkon udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Është po kështu një tregues i qartë i vullnetit të qeverisë shqiptare dhe kapaciteteve tona nëpërmjet policisë kufitare të emigracionit për t’u trajtuar në mënyrë të rregullt dhe sipas legjislacionit në fuqi në Shqipëri, sipas normave të standardeve evropiane çdo kërkesë për azil. Këto janë prova të qarta të cila tregojnë se Shqipëria jo vetëm nuk përbën një burim apo një problem përsa i përket shtetasve të tretë që mund të kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian, po është qartësisht e përgatitur të trajtojë me standarde evropiane, azilantët e huaj që kërkojnë azil në Republikën e Shqipërisë.”

Zyra do të shërbejë për të gjithë shtetasit e huaj që janë rezidentë në Elbasan, ose që do të hyjë në pikat kufitare të këtij qarku për të kryer procedurat e aplikimit për azil. Një zyrë e tillë është tashmë e hapur edhe në qytetin e Durrësit./tvklan.al