“Unë mendoj që kësaj çështje nuk do t’i vihet kapak kurrë”.

Kështu u shpreh gazetari Elvi Fundo kur u pyet në lidhje me çështjen e inceneratorëve.

“Kjo do të jetë një thes me miell që do ta shkundin dhe kjo është një çështje që nuk do të mbyllet, është një çështje që duhet të presë një vullnet të dytë politik që të dalin përgjegjësit e vërtetë. Këta kanë marrë të njëjtët njerëz, tre inceneratorë, duhet të ishin grup i strukturuar kriminal. Nuk janë një i tillë. Kemi në Elbasan një incenerator që do 2 milionë Euro të punojë, që është një kazan me naftë, në Fier që nuk ka përfunduar dhe në Tiranë që nuk ekziston”, tha ai.

Sipas gazetarit janë 178 milionë Euro që janë harxhuar për inceneratorët deri më tani. Fundo theksoi se në SPAK është shtuar grupi i hetuesve të atashuar pranë prokurorit Dritan Prençi.

“Po hetojnë për lidhjet korruptive të kësaj kompanie dhe mundësive që këta si përfitues kishin lidhje me zyrtarë, shpërdorimin e detyrës, pagesat. Po hetojnë jo vetëm lidhjet politike, por edhe pagesat që të vërtetohet saktësisht se kush ka qenë mbështetja e tyre dhe ku kanë shkuar paratë”, tha ai./tvklan.al