Kontrollet pas hetimeve për të verifikuar rolin e ish-zv/Kryeministrit në çështjen e inceneratorëve
Nis verifikimi pasuror ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle këtë të enjte në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet janë zhvilluar pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Sipas procesverbalit, janë sekuestruar projektet e ndërtimit të 3 vilave, 1 apartamenti dhe 1 shtëpie ekzistuese në Tiranë në zonën e bllokut. Pjesë e dosjes janë bërë edhe projektet e arredimit të tyre. Burimet bëjnë me dije se në njërën prej shtëpive janë sekuestruar edhe rreth 30 mijë Euro cash.
Këto kontrolle kryhen pas hetimeve për të verifikuar rolin e ish-zv/Kryeministrit në çështjen e inceneratorëve. Prokuroria e Posaçme për çështjen e inceneratorëve është duke verifikuar edhe rolin e 3 Ministrive të tjera.
Emri i Arben Ahmetajt doli pas zbërthimit të laptopit të Klodian Zotos, i cili është përfitues kryesor i inceneratorëve dhe është shpallur në kërkim nga policia. Sipas prokurorit Altin Dumani, rezultatet e ekspertizës së laptopit i janë vënë në dispozicion SPAK që në Nëntor 2022.
Klan News