Prokuroria e Posaçme ka firmosur rreth 20 urdhër-arreste për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Masat janë arrest në burg, arrest në shtëpi dhe detyrim paraqitje.
Sipas burimeve zyrtare, izolimi në qeli nga SPAK është kërkuar për 5 shqiptarë dhe 3 shtetas të huaj. Por mësohet se asnjë prej tyre nuk është arrestuar deri më tani, pasi policia nuk ka mundur t’i gjejë.
Nga të dhënat që policia ka kërkuar në sistemin TIMS rezulton që vetëm 1 prej tyre ndodhet në territorin e republikës së Shqipërisë ndërsa të tjerët janë jashtë vendit. Për personat që është kërkuar masa e sigurimit arrest në burg rëndojnë akuzat për grup kriminal dhe pastrim të parave në kuadër të grupit kriminal.
Operacioni ka nisur në orën 07:00 të kësaj të shtune dhe është ende në vijim. Agjentet e Byrosë Kombëtarë të Hetimit janë duke ushtruar kontrolle banesash. Ndërkohë që SPAK në përfundim do të ketë edhe një njoftim në lidhje me këtë çështje.
Hetimi për çështjen e inceneratorit të Tiranës ka nisur që në vitin 2020 ndërkohë që një vit më pas SPAK ka vendosur nën sekuestro kompaninë “Integreted Energy BV SPSV” që fitoi koncesionin për ndërtimin e incneratorit të Tiranës.
Kjo kompani fitoi koncesionin me vlere 128 milion euro. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme pronarët “de facto” të kësaj kompani janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Të dy janë dënuar nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për çështjen e inceneratorit të Elbasanit dhe të fierit.
Në dhjetor 2023 u firmosën 15 urdhër-arrestet e para nga të cilat u ekzekutuan 12 ndërsa mbeten në kërkim 3, dy prej tyre Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Në përnga për këtë çështje u vendosën edhe zyrtarë të bashkisë së Tiranës si Taulant Tushe dhe Namik Simirxhiu.
Klan News