Shënohen incidentet e para në procesin zgjedhor në Maqedoni. Policia ka arrestuar 6 persona të cilët tentuan të mbushnin kutitë e votimit në fshatrat Çegran të Gostivarit, Selarevë të Tetovës dhe Llojan të Likovës. Mbrëmë në tre qendra votimi në Recicën e Vogël në Tetovë u vodh materiali zgjedhore e si rrjedhojë procesi nuk po zhvillohet. Por në qendrat e tjera janë mobilizuar forca të shumta të policisë dhe njësive speciale për të garantuar, që ky proces të zhvillohet në një atmosferë të qetë.
Ndërkaq sipas komisionit shtetërorë të zgjedhjeve deri në orën 10:00 në rivotimet dolën rreth 12.40% nga 161 mijë qytetarë me të drejtë vote. Votimet përsëriten kryesisht në zonat e banuara me shqiptarë ku me 1 qershor një person humbi jetën, disa të tjerë u plagosën dhe u shënuan parregullsi të shumta.
Përsëritja e zgjedhjeve parlamentare po monitorohet nga 106 vëzhgues ndërkombëtarë të ODIHR-it dhe ambasadës amerikane. Komuniteti ndërkombëtare ka shtuar thirrjet që këto rivotime të zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike. Pasi janë kusht që Shkupi duhet ta përmbush për të caktuar datën e fillimit së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle