Lajme Arkiva 2003

Dy djemtë e deputetit Spartak Braho dhe shoferi i deputetit Gazmend Bizhga janë liruar nga qelitë e komisariatit të Durrësit gjatë orëve të vona të natës. Kreshnik dhe Arbër Braho dhe Arben Ibro janë liruar me urdhër të prokurorit të çështjes pasi vepra e tyre është kualifikuar thjesht një kundërvajtje penale.

Pas sherrit ndërmjet tyre që përfundoi me të shtëna pistolete nga shoferi i deputetit Bizhga hetimi paraprak për ngjarjen i ka rënduar të dy vëllezërit Braho me akuzën fyerje personi, ndërsa shoferi Arben Ibro i cili qëlloi me pistoletë në ajër është akuzuar thjeshtë për prishje të qetësisë publike.

Me këto akuza të lehta të tre protagonistët e ngjarjes së djeshme në prefekturën e Durrësit janë lënë lirë vetëm pas disa orësh qëndrim në qelitë e komisariatit. Gjatë ditëve në vijim të tre këta shtetas do të paraqiten në gjykatë ku do të sanksionohen në lidhje me kundravajtjen penale, por gjithsesi nuk rrezikojnë dënime me burg./tvklan.al