Infeksionet spitalore në vendin tonë janë dy herë më të larta se normat e lejuara, çka përbën një shqetësim real veçanërisht për kirurgjinë. 

Më të shpeshta janë ato të plagës në masën 38%, të cilat rrisin rrezikun për jetën të paktën me dy herë.

Këto shifra u publikuan gjatë konferencës së 16-të mediko-kirurgjikale, ku morën pjesë edhe Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Të dhënat iu referuan një studimi të kryer në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Arben Gjata: “Infeksionet përbëjnë rreth 38% të rasteve. Infeksioni i plagës përbën shkakun e tretë më të shpeshtë, ndërsa në repartin e kirurgjisë natyrisht që përbën shkakun më të shpeshtë. Pacientët të cilët po e zhvillojnë infeksionin e plagës sipas të gjithë studimeve kanë dy herë më shumë mundësi të vdesin në krahasim me pacientët e tjerë. Kanë 60% më shumë mundësi të kalojnë kohë më të gjatë në reanimacion.”

Besim Elezi:“Shpeshherë është problemi i duarve të palara, respektimi i disiplinës shkencore, por edhe e problemeve të tjera që kanë të bëjnë me përdorimin e materialeve të përdorimit të njëhershëm që tek ne akoma nuk janë disponibël, përdorimi i metodave të vjetra të sterilizimit, nganjëherë edhe neglizhimi i tyre”.

Në repartin e kirurgjisë përllogaritet që 2 nga 40 pacientë të preken nga këto infeksione, ndërsa mikrobi që haset më së shumti deri në masën 40% është stafilokoku./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami