“Iniciativa për Tiranën” quhet takimi mes intelektualëve dhe ekspertëve më në zë në kryeqytet. Ky grupim i shoqërisë civile u mblodh në fillim të muajit Prill me synimin e qartë për të krijuar një zë më shumë, ku do të mund të flitej dhe dialogohej për problematikat që kryeqyteti ka në funksion të zgjidhjes së tyre për një të ardhme më të mirë.
Takimi i parë nisi duke treguar se përse ishte mbledhur dhe falë transmetimeve të drejtpërdrejta dhe kronikave të lajmeve krijoi menjëherë audiencën e tij. Takimet e të mërkurave tanimë priten me interes.
Ata që kanë dhënë kontributet e tyre në shoqërinë civile, dërguan dhe dy ftesa të rëndësishme, veç atyre që donin ta ndiqnin aktivitetin në sallën e Akademisë së Arteve. Ftesat ishin për kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, prania e të cilit nuk mungoi, dhe e dyta për kandidatin socialist, Edi Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në asnjë nga dy takimet që janë zhvilluar. Rama argumentoi në distancë se ka një axhendë të ngjeshur elektorale përpara zgjedhjeve të 8 Majit.
Ajo që mbetet e rëndësishme është fakti se sa ndikim do të ketë zëri i këtyre 31 intelektualëve në programet e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës. Për të diskutuar mbi këtë çështje në emisionin “Opinion” ishin të ftuar drejtuesja e Grupit Shqiptar të të Drejtat të Njeriut”, Elsa Ballauri, pedagogia Nevila Xhindi, shkrimtari dhe përkthyesi Amik Kasoruho, dekani i një universiteti privat, Aleks Luarasi, mjeku Halim Kosova, kineasti Kujtim Çashku, regjisori dhe karikaturisti Bujar Kapexhi dhe pedagogia Grida Duma./tvklan.al