Raporti me i fundit i fondacionit Heritage mbi liritë ekonomike qe e rendit vendin tone te 53 mes 183 vendeve te botes cilësohet nga ekspertet vendas te ekonomisë si një vlerësim mjaft pozitiv qe mbërrin ne kushtet kur bota njohu një krize te thelle.

Për këshilltaren e kryeministrit për ekonominë 7 nga 10 treguesit e marrë ne konsiderate janë mbi mesataren botërore, pasqyre kjo e reformave shumëplanëshe te ndërmarra nga qeveria ne përmirësimin e klimës se biznesit.

Suzana Guxholli: “Shqipëria me renditjen në vendin e 53 lë mbrapa shumë vende të rajonit dhe vende të zhvilluara. Shqipëria renditet në këtë pozicion dhe ka shtatë tregues në situatë shumë të kënaqshme sepse reformat ekonomike, politike, fiskale dhe strategjitë e zbatuara nga qeverisja në këto 4-5 vitet e fundit kanë qenë të suksesshme dhe përmenden me emër liritë e të bërit biznes, të të regjistruarit, të marrit të licencës, cilësia e shërbimit, kreditimi i ekonomisë, siguria e investitorit, politikat fiskale”.

Edhe për ish Ministrin e Financave, Anastas Angjeli, ky raport është një hap përpara për ekonominë shqiptare.

Anastas Angjeli: “Padyshim që ky konsiderohet një vlerësim pozitiv, paçka se ngritja në një tabelë vjen për shkak të masave të marra brenda vendit që klasifikohet në tabelë apo edhe për shkak të uljes që pësojnë dhe vendet e tjera. Gjithsesi nuk duhet mohuar që një rritje prej 2, gati 2.7%, 2.3% e Shqipërisë në këtë tabelë klasifikimi tregon hap përpara.”

Mungesa e opozitës ne zgjidhjen e ngërçit ligjor për disa reforma të rëndësishme ekonomike sipas eksperteve është një prej shkaqeve qe ka sjelle rënie ne 3 tregues te raportit.

Anastas Angjeli: “Problematikë në këtë vlerësim duhet të ketë në konsideratë. Të tillë janë liria e pronës, liria për korrupsionin, si dhe liria e punës. Ajo që është e rëndësishme është që edhe ligjet fiskale që do ndryshohen gjatë këtij viti të jenë në funksion të zgjerimit të lirisë ekonomike. Veçanërisht këtu do veçoja miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative paçka se ky është i lidhur me numër votash në parlament dhe kërkohet që të realizohet përmes zgjidhjes politike”.

Suzana Guxholli: “Ndërkohë janë tre treguesit e fundit që është ai i titujve të pronësisë, i korrupsionit dhe i fuqisë punëtore të cilët janë nën mesatare. Një sërë ligjesh të cilët duhet të aprovohen në parlament me shumicë votash janë ndaluar nga mosprezenca e opozitës në parlament”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro