Pas humbjes të së ëmës, Sirine Malas kërkonte me dëshpërim një mënyrë për të shprehur dhimbjen e saj. “Kur je i dobët, pranon gjithçka”, shprehet ajo.

Aktorja u nda nga nëna e saj, Najah pas largimit nga Siria drejt Gjermanisë në vitin 2015. Në Berlin, Sirine lindi një vajzë, Ischtar dhe dëshira e saj më e madhe ishte që e ëma ta njihte. Por përpara se ta kishin këtë mundësi, ndodhi tragjedia. Najah vdiq papritur nga mosfunksionimi i veshkave në moshën 82-vjeçare.

“Ishte mizore sepse ndodhi papritur. Doja vërtet që ajo të njihte time bijë dhe të takohesha për herë të fundit”, shprehet Sirine. “Të duhet një rrugëdalje. Për të gjitha këto ndjesi…nëse i lë aty, fillon të vret, të mbyt. Doja mundësinë e fundit që të flisja me të”.

Pas 4 vjetësh që e ka ende të vështirë ta kalojë dhimbjen, Sirine gjeti Project December, një formë e Inteligjencës Artificiale që “simulon të vdekurit”. Përdoruesit plotësojnë një formular të shkurtër online me të dhëna rreth personit që kanë humbur duke përfshirë moshën, marrëdhënien me të dhe një thënie të tij.

Përgjigjet regjistrohen në një chatbot të IA që gjeneron një profil të bazuar në kujtimet e përdoruesit me të ndjerin. Për 10 dollarë, një përdorues mund të shkëmbejë mesazhe me chatbot-in për një orë.

Për Sirine, rezultatet ishin “të frikshme”. “Kishte momente kur ndihesha sikur ishin shumë reale. Kishte edhe momente kur mendoja se çdokush mund të përgjigjej në një mënyrë të tillë”.

Duke imituar të ëmën, chatbot-i i drejtohej Sirine me emrin e saj përkëdhelës që ajo e kishte përfshirë në formular, pyeste nëse po ushqehej si duhej dhe i thoshte se e shihte.

Project December ka mbi 3000 përdorues, pjesa më e madhe e të cilëve e kanë përdorur për të imituar një person të dashur që ka ndërruar jetë. Një pjesë e përdorin që të bisedojnë për herë të fundit me të dhe të vazhdojnë jetën normalisht. Megjithatë ka edhe klientë që e kanë të vështirë ta pranojnë dhe përpiqen “ta mbajnë gjallë”.

Disa janë të shqetësuar se kjo metodë mund të ndërhyjë në procesin natyral të zisë. Vetë Sirine thotë se teknologjia e ndihmoi, por këshillon që njerëzit të tregohen të kujdesshëm sepse mund të jetë e rrezikshme.

Deri më tani nuk ka rregulla specifike për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në imitimin e personave që kanë ndërruar jetë./tvklan.al