Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Gazetarja:- Duke nisur nga reforma zgjedhore, duke pasur parasysh dhe përpjekjet e OSBE-së në komisionin bipartizan, procesi ka ngecur pikërisht në zgjedhjen e anëtarit të 7-të të KQZ, gjë e cila ka bllokuar aktualisht dhe zëvendësimin e atyre anëtarëve që iu ka mbaruar mandati. Si mendoni se mund të zgjidhet ky problem dhe a do të ketë një ndërhyrje tjetër të OSBE-së?
Ambasadori Osmo Lipponen:- “Unë jam i sigurt, se problemet që kanë mbetur, do të zgjidhen përmes negociatave dhe jam gjithashtu i sigurt, se ne do të kemi përsëri një rol në lehtësimin e këtij procesi dhe gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme. Ne po e ndjekim situatën nga afër dhe jemi në mes të disa proceseve, që presim të zhvillohen më tej. Ndoshta OSBE mund të përfshihet, por vetëm nëse kërkohet kjo gjë dhe duket se edhe qeveria dhe opozita janë shumë të kënaqura me rolin tonë dhe po na ftojnë të japim ndihmesën përsëri, për t’i dhënë formë përfundimtare, këtyre detajeve të vogla, që kanë mbetur të hapura”.
Gazetarja:- OSBE ka marrë përsipër të negociojë, për të hartuar me konsensus, pra me miratimin e të gjitha palëve, ligjin e pronave. Si mendoni se do të realizohet një gjë e tillë dhe a keni nisur negociatat?
Ambasadori Osmo Lipponen:- “Shumë punë, urtësi politike dhe vullnet për kompromis, do të nevojiten për të përfunduar këtë detyrë. Ne kemi filluar tashmë me pjesën praktike të punës, dhe jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave të tjera, krijimin e ekipit tonë të ekspertëve dhe përfundimin e kontakteve me të gjitha palët dhe qeverinë. Unë kam diskutuar kohët e fundit, në nivelet më të larta politike, lidhur me hartën e rrugës dhe lidhur me atë se si do të procedojmë. Është praktikisht njësojë me atë me të cilën kemi rënë tashmë dakord me kryetarin e Parlamentit, me disa modifikime të vogla, të cilat na janë dukur të nevojshme, pasi kemi marrë komentet e para nga palët. Tani kemi kohë të mjaftueshme për ta përfunduar punën nga fundi i Korrikut. Aktualisht jemi duke hedhur themelet, të cilat përfshijnë bisedime të tjera me grupe të ndryshme. Parlamenti do të bëjë më vonë punën e tij dhe ne do të shohim më pas rezultatet përfundimtare. Unë mendoj se ne dhe para së gjithash Parlamenti, do të gjejmë zgjidhjet politike të mira, afatgjata dhe të drejta”.
Gazetarja:- Raporti i fundit i OSBE-së ishte mjaft kritik, përsa i përket disa çështjeve në vend. A do të ketë një raport të shpejt për muajt e fundit, për zhvillimet në Shqipëri dhe mendoni se është bërë ndonjë progres, në lidhje me ato çka ju paraqitët si vërejtje në raportin e kaluar?
Ambasadori Osmo Lipponen:- “Unë do të thoja, se raporti ishte shumë konstruktiv dhe i drejtë, ai u mirëprit gjithashtu dhe nga qeveria. Një nga bindjet e mia është se duhet të flasësh për faktet me terma reale. Problemet me të cilat përballet Shqipëria janë shumë të mëdha dhe duhet ta pranojmë që ato nuk mund të zgjidhen sa hap e mbyll sytë. Ato duan punë të vazhdueshme dhe afatgjatë. Raporti ynë i ardhshëm do të paraqitet përpara këshillit të përhershëm të Vjenës, në fillim të Qershorit. Është pak shpejt të thuhet, se çfarë do të thuhet në të, ai do të përmbajë disa elementë pozitiv, por do të vazhdojë me një qëndrim konstruktiv, pozitiv, por edhe kritik”.
Gazetarja:- Cili është opinioni juaj për krimin e organizuar dhe luftën që është bërë ndaj tij, që është një nga shqetësimet kryesore të Shqipërisë?
Ambasadori Osmo Lipponen:- “Krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi janë disa prej çështjeve të vështira dhe të pafund, që vendi po përpiqet të zgjidh. Ato janë aq të mëdha, sa kërkojnë përpjekje të mëtejshme të koordinuara të qeverisë shqiptare dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është e vetmja mënyrë, për të arritur rezultate afatgjata”.
Gazetarja:- Si e shihni klimën politike në vend pas prishjes së marrëveshjes Nano-Berisha? A mendoni se do të ketë ndikim në zgjedhjet e ardhshme elektorale, në zhvillimin e fushatës, klima e acaruar mes pozitës dhe opozitës?
Ambasadori Osmo Lipponen:- “Duhet ta pranojë që nuk jam dakord me ju edhe pse ka pasur ulje dhe ngritje në këtë proces, unë mendoj se kjo marrëveshje është një sukses i madhe dhe arriti rezultatet kryesore që dëshironte. Ajo çka nuk është lavdëruar sa duhet është se solli për herë të parë, në një kohë shumë të gjatë, negociata të vërteta dhe elementë konsensual në politikën e këtij vendi. Deri tani, e gjithë politika është etiketuar nga e ashtuquajtura e të menduarit e të shumëzuarit me zero, gjë që është shumë e dëmshme”.
Gazetarja:- Si e shihni përgatitjen e zgjedhjeve lokale? A është përgatitur infrastruktura zgjedhore?
Ambasadori Osmo Lipponen:- “Përgatitjet kanë filluar, ato janë vetëm në fazën fillestare, siç thuhet edhe në media, hapat e parë për regjistrimin e votuesve janë hedhur. Ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, për të cilin unë besoj se bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht OSBE-ja dhe ODHIR-i do të japin mbështetjen e tyre, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në një situatë teknike perfekte”.
Gazetarja:- Duke pasur parasysh disa zëra për largimin e OSBE-së nga Shqipëria, a mendoni se është ende i nevojshëm misioni juaj këtu në Tiranë?
Ambasadori Osmo Lipponen:- “Unë jam një përkrahës i fort i këtij mendimi dhe padyshim nuk është mendimi im që ne kemi gjetur një rol të ri. Riorientimi i aktiviteteve tona ka qenë shumë i suksesshëm dhe kemi qenë të dobishëm për këtë vend”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego