Partia Demokratike paralajmëron për protesta popullore nëse për këto zgjedhje nuk do të kemi institucion zgjedhor të balancuar. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të jetë në dorë të qytetarëve nëse socialistët do të këmbëngulin për të mos ndryshuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo ide, që qarkullon në strukturat e Partisë Demokratike, vjen edhe si rezultat i ngecjes së bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve që nënshkruan protokollin e reformës Ruçi-Topi-Lipponen konfirmohet edhe nga Fatos Beja.
Fatos Beja: “Për fat të keq, deri tani shenjat janë tërësisht negative, PS-ja refuzon që diskutojë përbërjen dhe ndryshimin e një komisioni që është arbitëri i zgjedhjeve. Negociatat nuk vazhdojnë, negociatat janë të bllokura, sepse PS-ja, që para se të fillonte komisioni, e dini fare mirë, kanë bërë deklarata hapur që ne nuk jemi për ndryshimin e KQZ-së. Problemi i votës së shqiptarëve dhe daljes së një qeverie, të një parlamenti nga vota e shqiptarëve është një problem jo thjesht i Partisë Demokratike, është një problem i Shqipërisë i gjithë shqiptarëve dhe unë jam i bindur që shqiptarët do të reagojnë. Shqiptarët kanë atë maturitet politik që të reagojnë me të gjithë mënyrat demokratike për të pasur zgjedhje si të gjithë vendet e tjera.”
Gazetarja: “Që janë protestat këto mënyra?”
Fatos Beja: “As protesta nuk përjashtohet sigurisht. Përderisa anglezët, besoj e keni parë te BBC-ja se si kanë dalë në protesta pse vriten dhelprat, atëhere shqiptarët kanë të drejtë të dalin të protestojnë pse unë nuk kam emrin në listë dhe të votoj për atë parti që dua unë?”
Anëtarët e Partisë Demokratike janë të vendosur të mos shkojnë në komisionin për reformën zgjedhore nëse nuk zgjidhet çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /tvklan.al