Kosova është shteti me i ri i rajonit dhe si i tillë, institucionet e larta mbeten ende të mbikëqyrura nga faktori ndërkombëtar. Por paralelisht me zhvillimet, Kosova  e ka krijuar ministrinë e  Forcës së Sigurisë. Për herë të parë , ministri i forcës së sigurisë së Kosovës, në një intervistë ekskluzive për Tv Klan jep detaje të mënyrës se si do të funksionojë kjo ministri, sa të sigurt janë kufijtë e rajonit dhe çfarë është bërë për demilitarizimin e asaj që në vite është njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Fehmi Mujota: “Jemi në rrugë të sigurt dhe rrugë të mbarë që me sukses të përmbushim obligimet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të brendshme dhe ato të jashtme, për të arritur një standard të cilin e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, në të mirë të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon.”

Ndryshimet e mëdha, që kanë ndodhur në rajon, pas hyrjes së Shqipërisë dhe Kroacisë me të drejta të plota në NATO, e kanë rritur edhe më shumë perspektivën e integrimit të shpejtë të Kosovës, në strukturat euroatlantike.

Fehmi Mujota: “Ne jemi shumë të bindur që tani përkrah Shqipërisë me të drejta dhe përgjegjësi të plota në NATO, me klimën gjithnjë në rritje në kuptimin pozitiv të bashkëpunimeve në rajon, Kosova do ta ketë rrugën e integrimit më të lehtë, se sa të gjitha vendet që kaluan gjithë ato procedura për të cilat folëm me të drejtë.”

Por ministri Mujota, është koshient se Kosova ka ende rrugë për të bërë deri tek ai moment, ndërsa përmend se njohja e pavarësisë së Kosovës nga 60 vende të fuqishme shumë shpejt do të japë efektet dhe tek vendi fqinji, Serbia. 

Fehmi Mujota: “Mendoj se të gjitha vendet në rajoni do ndjekin rrugën e Shqipërisë, Kosova është në prospektiven e saj pak në rrugë të veçantë, por që gjithsesi të dyja shtetet së bashku bëjnë një faktorë të rëndësishëm. Me fqinjin tjetër siç është Serbia, është e qartë se duhet të kalojë edhe një kohë për të  ndërruar qasje dhe për të kuptuar realitetin që ka ndodhur në Kosovë, aq më tepër kur deri më tani 60 shtete më të rëndësishme të botës më të fuqishme dhe me demokraci të konsoliduar e kanë njohur Kosovën dhe këto janë fakte të cilat dëshmojnë se perspektiva e Kosovës, perspektiva e rajonit në këtë aspekt është në rritje e sipër dhe përfundimisht kohët e këqija i kemi lënë prapa.”

Mujota pohon se procesi i çmilitarizimit të popullsisë dhe UÇK-së është përmbushur me sukses dhe nën mbikëqyrjen e plotë të KFOR-it prezent në Kosovë.

Fehmi Mujota: “Nuk është një çështje që duhet të brengosemi dhe të mendojmë për një kthim mbrapa, përkundrazi janë krijuar  të gjitha parakushtet që të ecim me hapa të sigurt përpara”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani