Aplikimi i Shqipërisë si vend kandidat për në BE, pritet të shqyrtohet brenda vjeshtës së këtij viti. Optimizmin lidhur me këtë çështje, qeveria e lidh me deklarimet e forta ta zyrtarëve të lartë të Brukselit në raport më zgjedhjet parlamentare.

Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, thotë se panoramës së vlerësimeve zyrtare pozitive të Brukselit, që më herët konkluduan me hyrjen në fuqi të MSA-së, i mungonin zgjedhjet. Kriteri më i rëndësishëm politik për t’u përmbushur.

Majlinda Bregu: “Pra ky certifikim  rregullsisë së një procesi zgjedhor nuk ka ndodhur asnjëherë në vitet e mëparshme dhe sigurisht që ky ishte një moment kyç tani më edhe për Evropën për të kuptuar se sa seriozisht Shqipëria plotësonte angazhimet kryesore që vijnë nga procesi i integrimit të vendit në BE. Në këtë le të themi panoramë të përgjithshme pjesa që mungonte në këtë puzle ishin pikërisht zgjedhjet dhe me këtë proces të konsoliduar zgjedhor, të certifikuar në raportin e OSBE-ODIHR, ne kemi të gjitha shanset për të progresuar dukshëm, shpejtë, ndoshta edhe më shpejt se sa mund të ishin parashikimet në pranverën e këtij viti, në procesin e integrimit në BE.”

Muaji më i mundshëm për shqyrtimin e kërkesës duket të jetë tetori. Ministrja për integrim thotë se procesi jo domosdoshmërish është i lidhur me datën e shpalljes së progres raportit  të BE-së. Dokumenti që bën vlerësimin e ecurisë 1 vjeçare të vendit. Progres-raporti i vitit 2009 u publikua në ditët e para të muajit nëntor.

Majlinda Bregu: “Kjo nuk do të thotë se progres-raporti është i lidhur domosdoshmërish me kërkesën që këshilli mund ti bëjë KE-së për të përgatitur avinë. Pra nuk do të thotë që domosdoshmërish duhet pritur dalja e progres-raportit në mënyrë që këshilli ti kërkojë KE-së që të përgatisë avinë, pra mendimin dhe Shqipërisë i dërgohet pyetësori e tjera me radhë. Ne presim që ky proces të shqyrtohet në vjeshtën e këtij viti. Kjo nuk është një sfidë le të themi ndaj datave dhe kohës, por jemi gati për të përballuar me çfarëdolloj presioni  kohor detyrimet që na vijnë për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE. Administrata shqiptare është sot le të themi në sfidën e saj më të madhe. Plotësimi i detyrimeve, i kërkuar gjatë gjithë këtyre viteve, shumëfishohet tani më sepse në qoftë se volumi i punës ka qenë deri diku në dhënie përgjigjesh, nëpër takime, nëpër konferenca, nëpër takime të ministrave politik, këtë radhë gjithçka përqendrohet tani tek puna e administratës shqiptare, kryesisht për të zbatuar detyrimet.”

Bregu garanton se procesi për shqyrtimin e statusit kandidat, nuk do të hasë në asnjë pengesë nga vendet e BE-së. Këtu ministrja ka parasysh dhe Gjermaninë, e cila ka një fokusim të madh në çështjet e brendshme për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në 27 shtator.

Majlinda Bregu: “Në një situatë zgjedhore, apo në një situatë le të themi jo e qetë politikisht brenda vendit, në kuptimin që kanë për të realizuar një proces. Është një moment i cili tërheq vëmendjen më së shumti në punët e brendshme të shtëpisë se sa në perspektivën e përgjithshme të zgjerimit. Por në të gjithë deklaratat e përfaqësuesve Evropian dhe të kancelares Merkel herë pas here, mbështetja ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në strukturat Europiane ka qenë e plotë. Ndaj unë nuk shoh asnjë pengesë, jo vetëm nga Gjermania të cilët ju e përmendët, por në asnjë nga vendet e tjera anëtare të BE-së.”

Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në fund të muajit prill të këtij viti. Shqyrtimin e kërkesës zyrtarët e lartë të Brukselit e lidhën me përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Presidenca e radhës e BE-së Suedia, e ka shprehur publikisht qëndrimin për shqyrtim të kërkesës brenda muajit tetor të këtij viti./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi