Lajme Arkiva 2004

Ilirjan Dida vazhdon grevën e tij të urisë dhe nuk ka marrë ende vendim për ta ndërprerë megjithëse ndodhet në sallën e reanimacionit në spitalin infektiv.

Gjatë orëve të ditës ish drejtori i Policisë së Beratit është përmirësuar pas gjendjes së të fiktit dhe dhimbjeve që i detyruan një natë më parë të shtrohej me urgjencë në spital.

Mjekët kanë filluar trajtimin e tij  me sërume ndërsa vetë Dida deklaron se ende nuk ka marrë një përgjigje nga Ministria e Rendit.

Ilirjan Dida: “Jo nuk e kam marrë një vendim të tillë për momentin po marrë ndihmë mjekësore. Deri në këto momente jam i vendosur që të vazhdojë. Po kërkesat i kam shtruar që në fillim  kush e ndjen se duhet të largohet, le të largohet”.

Dy javë më parë ish drejtori i policisë i përjashtuar si i inkriminuar nga radhët blu filloi  një grevë urie duke filluar nga ish eprorët të penalizohej për akuzat e deklaruara ose të rikthehej në radhët e policisë së shtetit.

Deri tani Ministria e Rendit është shprehur se Dida po hetohet , por me gjithë deklarimet e rënda prokuroria nuk ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj tij./tvklan.al