Lajme Arkiva 2003

Shemsie Kadria ish bosja e firmës “Gjallica” mund të ketë qenë ndër të paktët persona që kanë ndjekur me interes komisionin parlamentarë që bëri transparencën e transparencës mbrëmjen e djeshme, por edhe pse këtij komisioni sot i jepet lamtumira e fundit, Shemsia thotë se transparenca e Gjallicës sapo ka nisur. Në një intervistë ekskluzive për Tv Klan nga burgu 325 Shemsia deklaron se ka mbetur e kënaqur nga lideri demokrat Berisha ndërsa pret që edhe socialistët të marrin përgjegjësinë që u takon.

Gazetari: Sa i sinqertë ishte Berisha në atë që thoshte?

Shemsie Kadria: Për mendimin tim ai mbajti përgjegjësinë që i takon. Ama duhet të mbajë përgjegjësi edhe pala tjetër e qeverisë në pushtet.

Ish bosja e firmës “Gjallica”, mbart edhe marrëdhëniet që ka pasur me sekretarin e komisionit për transparencë, deputetin socialist Bashkim Fino, të cilin e ka njohur që kur ky ishte kryetari i bashkisë së Gjirokastrës.

Shemsie Kadria: Unë kam njohur vetëm zotin Bashkim Fino në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Gjirokastër. Meqenëse investimi i bërë që në vitin 1993 në Gjirokastër, e cila është kryer nga firma ”Besa-besën” në Turqi të Izmirit. Atëherë Bashkia Gjirokastër ishte binjakëzuar me një qytet të Izmirit ku kam pasur rastin ta njoh nëpërmjet biznesmenit që edhe ne vazhduam investimet. Duke e falënderuar edhe njëherë zotin Bashkim Fino, për periudhën në atë kohë që na dha mundësinë që brenda 5 ditësh apo 10 ditësh që ne të bëjmë një investim në Gjirokastër. E bindur se qytetarëve që depozituan paratë e tyre në firmën “Gjallica” ajo u ka vetëm borxh moral dhe aspak financiar Shemsia u kërkon ndjesë atyre duke apeluar për gjetjen e fajtorëve që shkatërruan dhe vodhën “Gjallicën”./tvklan.al