Ashtu siç ishte paralajmëruar, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë protestuan përballë godinës së Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar njëzëri largimin e njërit prej anëtarëve të këtij institucioni, Femi Abdiut.

“Neve kërkojmë me insistim që të largohen nga Gjykata Kushtetuese, nga Gjykata e Lartë, nga të gjitha instancat gjyqësore të atyre gjykatësve që kanë lënë dënime politike, që sot qëndrojnë këtu me në krye Femi Abdiun, që ka ekzekutuar, ka dhënë ekzekutim me varje mësuesin dhe poetin Avzi Nela.”

Dhjetëra përfaqësues dhe anëtarë të këtyre shoqatave kërkuan dhe njëherë  hapjen e dosjeve të ish-persekutorëve të tyre dhe miratimin e ligjit të lustracionit, duke hedhur sërish akuza  ndaj disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne kërkojmë këtu largimin nga Gjykata Kushtetuese dhe të gjitha gjykatat ish-kriminelët të cilët dënuan në kohën e diktaturës, hapjen e dosjeve  dhe miratimin e ligjit të lustracionit. Ju lutem, pastroni gjykatat.”

Protesta e ish-të përndjekurve vjen pak ditë pasi në malin e Dajtit u gjendën 19 skelete të personave të ekzekutuar gjatë regjimit komunist. Protestuesit thanë se do ta përshkallëzojnë protestën përpara Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pastrimin e Administratës nga persona që kanë kryer krime dhe persekutime politike./tvklan.al

Gazetar: Julian Kasapi