Instituti i Shëndetit Publik ka arritur të zbulojë më në fund shkaqet e epidemisë që çuan në helmimin e 50 personave në Poliçan. Pas analizave të kryera, ka rezultuar se uji i pijshëm që kanë konsumuar banorët ka qenë me ndotje të lartë dhe infektuar me mikrobin e dizanterisë.

Alban Ylli: “Është identifikuar shkaktari, është “shigela fleksneri tip 3” i cili është një shkaktarë i rrezikshëm infektiv. Hipoteza jonë më e fortë nga hetimi epidemiologjik është se shkaktar, ose më saktë vektor i shpërndarjes së agjentit infektiv duhet të jetë uji i pijshëm. Kemi identifikuar ndotje në një zonë të caktuar sipër depos, ndërkohë që nuk kemi arritur t’i identifikojmë ndotje në pjesë e ujësjellësit poshtë, megjithatë kemi të identifikuar disa indikator që tregojnë për një mundësi të ndotjes”.

Shefi i epidemiologjisë së bashku me një grup specialistësh nga Tirana, kanë vizituar nga afër të prekurit ndërkohë që ju kanë rekomanduar banorëve të kenë më shumë kujdes në drejtim të higjienës.

Alban Ylli: “Këshillat për publikun janë të tilla. Aty nuk do pihet uji i pijshëm nga ujësjellësi edhe për disa ditë derisa të merret një vendim i dytë, me shumë gjasë deri nga java që po vjen, nga gjysma e javës që po vjen. Ndërkohë që është shtuar niveli i dezifektantit në standardet e shpërthimeve epidemike, çka siguron një dezinfektim të mjaftueshëm për përdorim higjenik po themi të ujit. Nuk japim garanci absolute 100 për 100 lidhur me ndonjë rigrumbullim të rasteve për faktin e thjeshtë sepse mundet të ketë transmetim nga personi te personi”.

Por pavarësisht ekzaminimit të sëmundjes, personeli mjekësor ka shprehur shqetësimin lidhur me pamundësitë e kurimit e të prekurve në spitalin e Poliçanit. Ndërkohë autoritetet e shtetit lokal kanë kërkuar nga specialistet e Institutit të Higjienës të lokalizojnë sa më shpejt zonat e ndotura në mënyrë që të parandalohet përhapja e epidemisë, e cila do të jetë me rrezik për jetën e banorëve./tvklan.al

Montazh: Vilma Halilaj