Librezat shëndetësore së shpejti mund të përdoren nga pacientët edhe në spitalet apo klinikat private.

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është duke hartuar një projektligj i cili do të përfshijë në skemën e sigurimeve, jo vetëm klinikat shtetërore, por edhe ato jopublike.

Elvana Hana: “Për herë të parë projektligji dhe projektstatuti parashikojnë kontraktimin me shërbimin privat  duke futur elementin e konkurrencës që padyshim do ti sjellë një cilësi më të mirë shërbimit për pacientët dhe kosto-efektivitet në sistem. Do të krijohet regjistri i dhënësve privat të shërbimit, i cili do të përfshije vetëm subjekte të licencuara dhe të akredituara nga organet përkatëse për dhënien e shërbimit shëndetësor.”

Projektligji parashikon financimin e shërbimeve shëndetësore përmes paketave të cilat do të hartohen nga këshilli administrativ i Institutit të Kujdesit Shëndetësor.

Elvana Hana: “Sipas draft-statutit financimi i shërbimeve shëndetësore do të bëhet përmes paketave të mirë përcaktuara të shërbimeve të cilat do të përfshijnë vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore me qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik, por edhe në spitalet publike. Këshilli administrativ nëpërmjet komisioneve teknike të krijuara prej tij, luan një rol të rëndësishëm në procesin e hartimit të paketave të shërbimeve që do të rimbursohen gjithmonë duke u bazuar në aftësitë paguese të institucionit.”

Drafti është ende në fazën e hartimit dhe diskutimit lidhur me llojin e kontratave dhe mënyrën e tarifimit. Më pas ekspertët do të diskutojnë projektligjin edhe me grupet e interesit./tvklan.al