Asnjë  pacient që do të vizitohet në spital nuk do të kaloj pa u shënuar nga mjekët. Kjo, pritet të ndodh menjëherë pas futjes së spitaleve në skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, proces i cili ka nisur një vit më parë. 

Drejtoresha e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, shprehet për Televizionin Klan se çdo para që vjen nga vizitat e pacientëve në spitale nuk do të shkoj më në xhepat e mjekëve në mënyrë të pakontrolluar.

Elvana Hana: “Paraja qe do të vij në mënyrë zyrtare, do të vij për pacient të vizituar vërtetë, do të vij për një performancë të ndodhur vërtetë në spital dhe nuk do të vij për gjëra të papërcaktuara dhe do të marrin secili natyrisht pagën e tyre. Në fund të çdo dite, do duhet të evidentojnë numrin e pacientëve të kuruar, ditët e qëndrimit të pacientit, në mënyrën e trajtimit të diagnozës që ata kanë trajtuar në spital. Pra të gjitha këto do duhet të evidentohen në mënyrë të saktë dhe do të fillojnë të maten, do të bëhen dhe krahasime”.

Por futja e spitaleve në skemën e sigurimeve, jo vetë që do të sjell shërbim cilësor për pacientin, por do të bëj që shumë shërbime të ofrohen edhe në spitalet rajonale duke bërë që pacientët të mos vijnë të gjithë në Tiranë për kurim.

Elvana Hana: “Një nga strategjitë tona më të rëndësishme është fuqizimi i spitaleve të rajoneve dhe në mënyrë që qoftë nga ana e sasiore dhe nga ana cilësore, dhe nga ana financiare në mënyrë që këto të marrin përgjegjësitë e veta, të të 12 spitaleve rajonale për të përmirësuar në këtë formë edhe eksesin ndaj pacientit, eksesin e shërbimeve shëndetësore që mos të marrin rrugën njerëzit të vijnë në Tiranë për çdo shërbim, por ti kenë shërbimet e decentralizuara nëpër rrethe”.

Një tjetër faktor i rëndësishëm me futjen e spitaleve në skemë është dhe vendosja e menaxherëve në krye të tyre në mënyrë që të mirëmenaxhohen fondet./tvklan.al Gazetare: Brunilda Cami