Ushtria izraelite bombardoi një pjesë të madhe të Rripit të Gazës duke vrarë të paktën 17 palestinezë.
Sulme pati në kampin e refugjatëve Jabalia, si dhe pjesën veriore Beit Lahiya, ku avionët shkatërruan kampe dhe disa ndërtesa ku ishin strehuar njerëzit e zhvendosur.
Palestinezët shpresojnë që të ketë edhe aty një armëpushim të ngjashëm si ai mes Izraelit dhe Hezbollahut.
“Jeta jonë është bërë shumë e vështirë. Ne nuk mund t’i vëmë në gjumë fëmijët tanë, nuk ka siguri. Kemi nevojë për qetësi dhe stabilitet. Jemi të lodhur, vërtet të lodhur, shkojmë të flemë me shpresën që të zgjohemi me një armëpushim të nesërmen”, thotë një banore në Gaza.
Një ndërprerje e luftimeve Izrael-Hamas duket e largët. Egjipti, i cili ka luajtur një rol në këtë ndërmjetësim të bisedimeve, e sheh me shumë pesimizëm pasi kanë ngecur negociatat mes palëve.
Ndërkohë Izraeli do të marrë një paketë nga Presidenti në largim Joe Biden.
Sipas Financial Times, administrata e Biden po planifikon një tjetër ndihmë me armatime prej 680 milionë Dollarësh për Netanjahun.
Pas armëpushimit në Liban, të zhvendosurit po kthehen pavarësisht paralajmërimeve nga autoritetet izraelite dhe libaneze se disa zona nuk janë ende të sigurta për t’u rikthyer.
Klan News