Ushtria izraelite i ka urdhëruar palestinezët të evakuohen nga qyteti i dytë më i madh i Rripit të Gazës, Khan Junis.
Urdhri i së hënës është shenjë se trupat izraelite me gjasë do ta nisin një ofensivë të re në qytetin jugor të Gazës.
Izraeli e përfundoi pushtimin e Kan Junisit në fillim të këtij viti dhe i tërhoqi shumicën e forcave nga atje.
Urdhri për evakuim lë të kuptohet se Hamasi, grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të jetë rigrupuar në këtë zonë.
Izraeli ka thënë se është në përfundim të ofensivës në qytetin aty pranë, Rafah. Ndërkohë, në very të qytetit të Gazës është raportuar për luftime të ashpra në javët e fundit.
Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres ka thënë se vendimi i Izraelit tregon përsëri se nuk ka vend të sigurt në Gazë dhe se nevojiten më shumë përpjekje për t’i mbrojtur civilët.
Që nga fillimi i luftës tokësore në Gaza, forcat izraelite kanë lëvizur vazhdimisht drejt jugut në territorin palestinez, duke synuar t’i shkatërrojnë batalionet e Hamasit, megjithëse luftimet kanë rifilluar në veri.
Izraeli dhe Hamasi duket se po pajtohen çdo herë e më pak për mënyrën se si duhet të zbatohet një marrëveshje e mundshme për armëpushim.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të pjesshëm, e cila nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.
Hamasi ngul këmbë se nuk do t’i lirojë pengjet e mbetura, nëse nuk ka armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 Tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.
Që nga fillimi i saj lufta izraelite në Gazë u ka marrë jetën më shumë se 37.000 palestinezëve, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL