Ushtria izraelite thotë se ka kryer 480 sulme në Siri gjatë 48 orëve të fundit, duke shkatërruar 15 anije dhe vende të prodhimit të armëve në disa qytete.

Portet në Latakia dhe al-Beida u bombarduan, ndërsa baza ajrore Tiyas si dhe aeroportet e Damaskut dhe Qamishli u goditën gjithashtu.

Të paktën dy civilë janë raportuar të vrarë. Ushtria izraelite vlerëson se shkatërroi deri në 80 përqind të aftësive ushtarake të Sirisë në atë që ajo e quan një nga operacionet më të mëdha sulmuese në historinë e saj.

Javët e fundit ushtria izraelite ka sulmuar me avionë luftarakë dhe dronë bazat ajrore, vendet e armëve si dhe ka shkatërruar flotën detare të Sirisë.

Qeveria e Netanyahut është e bindur që grupet e ndryshme islamike që tani kontrollojnë zona të mëdha të Sirisë nuk duhet të kenë mjetet për të kërcënuar Izraelin.

Por shtetet arabe si dhe Turqia nga ana tjetër kanë kritikuar këto sulme dhe kanë dënuar lëvizjen e trupave izraelite në një zonë e ndërmjetme me Sirinë.

Nga ana tjetër, forcat rebele siriane kanë marrë kontrollin e qytetit lindor të pasur me naftë, Deir al-Zour.

Hassan Abdul-Ghani, një komandant i lartë i grupit kryesor militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), tha se luftëtarët e tij kishin çliruar qytetin dhe aeroportin e tij ushtarak. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) ka bërë të ditur se forcat kurde që kontrollonin më parë qytetin ishin tërhequr në lokalitete të tjera.

Kryeministri i përkohshëm i Sirisë Mohammed al-Bashir thotë se sirianët kanë nevojë për “stabilitet dhe qetësi” dhe se ai po punon me zyrtarë nga regjimi i Bashar al-Asad për të rivendosur shërbimet dhe institucionet publike.

Nga ana tjetër, refugjatët nga lufta e gjatë civile e Sirisë po kthehen në shtëpitë e tyre.

Zyrtarët amerikanë, duke u angazhuar me rebelët e udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), u kërkuan atyre që të drejtojnë një proces gjithëpërfshirës për të formuar një qeveri kalimtare.

Qeveria e re duhet të “ketë angazhime të qarta për të respektuar plotësisht të drejtat e pakicave, të lehtësojë rrjedhën e ndihmës humanitare për të gjithë në nevojë, të parandalojë përdorimin e Sirisë si bazë për terrorizmin”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë.

Rindërtimi i Sirisë do të jetë një detyrë kolosale pas një lufte civile që vrau qindra mijëra njerëz.

Qytetet janë kthyer në gërmadha nga bombardimet, ndërsa fshatrat janë shpopulluar. Nga ana tjetër ekonomia është shkatërruar nga sanksionet ndërkombëtare.

Klan News