Deputetët socialistë, përfaqësues të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste janë shumë pranë thyerjes së bojkotit parlamentar.

Pas deklaratës së djeshme të komisionerit për zgjerim, Olli Rehn, ku i kërkoi opozitës të kthehet në Kuvend, dhe pëlqimit të 27 vendeve anëtare të bllokut për të mbështetur aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Marko Bello si pjesë e grupimit që kundërshton bojkotin thotë se janë duke përgatitur një projekt-rezolutë, përmes së cilës do i kërkojnë grupit parlamentar socialist t’i kthehet që prej javës së ardhshme sallës së Kuvendit.

Marko Bello: “Janë momente historike për Shqipërinë dhe ne prandaj jemi shprehur të shqetësuar që opozita në këto momente duhet të jetë në parlament. Aq më tepër që nga faktori ndërkombëtar përfshi dhe rastin më të fundit të vetë komisionerit për zgjerim Olli Rehn, thuhet qartë që roli i opozitës është në parlament nuk është në rrugë. Kjo është arsyeja që ne kemi përgatitur dhe një projekt-rezolutë që t’ia paraqesim dhe kolegëve tanë, ku u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të opozitës ti japin fund që ditën e hënë bojkotit, të shkojnë në parlament, që ne të mos jemi në periferi të këtyre proceseve kaq të rëndësishme për shqiptarët, por të meritojmë dhe ne kontributin tonë siç e kemi dhënë në vite.”

Gazetare: “Ju çfarë do bëni në qoftë se kolegët do të vazhdojnë të përkrahin vendimin e zotit Rama?”

Marko Bello: “Ende shpresoj se kolegët do të reflektojnë. Nëse pastaj nuk do të ketë reflektim, kuptohet ne nuk do ti shkelim kufijtë logjik, nuk do ta bojkotojmë parlamentin sepse jemi votuar për të shkuar në parlament.”

Sipas Bellos opozita nuk mund të vazhdojë të jetë vetëm në rrugë duke protestuar në një moment kaq historik për Shqipërinë dhe shqiptarët./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka