Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ka rëndësi kritike për stabilitetin e rajonit.
Kështu ka deklaruar zv/presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë fjalimit të mbajtur në parlamentin e Bosnjë-Hercegovinës, ndalesa e parë e turneut treditor në Ballkan.
Ne nuk presim që Serbia, të njohë së shpejti Kosovën, por presim që Beogradi të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe faktorë të tjerë kyçë ndërkombëtarë në Kosovë, duke kërkuar zgjidhje pragmatike që do të përmirësonin jetën e të gjithë njerëzve atje, duke mos i kthyer viktima të mospajtimeve politike, shtoi më tej Biden.
Nga ana tjetër numri dy i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar Bosnjë-Hercegovinën kundër rrëshqitjes në një kaos tjetër etnik.
Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar për drejtimin që ka marrë vendi juaj, tha Biden. Për t’u kthyer prapë në rrugën e duhur kështu që ju duhet të punoni bashkë përgjatë vijave etnike dhe partiake në mënyrë që vendi të funksionojë si një shtet i vërtet.
Vizita e radhës e Biden është Serbia ku nuk është një figurë mjaft popullore dhe Kosova ku pritet të marrë një mikpritje mjaft të ngrohtë.
Ky udhëtim shihet nga shumë në rajon si sinjal i rëndësishëm se Ballkani nuk do të injorohet nga administrata amerikane.
Një zyrtar amerikan i tha BBC-së se vizita e Joe Bidenit do të rikonfirmojë përkrahje për integrim të Ballkanit në BE dhe NATO./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle