Tre ditë para se zv/presidenti amerikan, Joseph Biden, të arrijë në Kosovë autoritetet në Prishtinë nuk kanë dhënë as më të voglin detaj për masat e ndërmarra e as për agjendën e pritjes së tij, e tëra kjo për shkaqe sigurie.

Mirëpo sipas burimeve të Klan Kosova numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aeroportin e Prishtinës pritet të arrijë të enjten në mëngjes.

Prej aty amerikani pritet që me helikopter të arrijë në heliodromin e komandës kryesore të KFOR-it në Film City.

Vetura e blinduar, e ngjashme me atë të presidentit Obama, e cila ndryshe quhet edhe “Bisha”, do ta transportojë atë deri në ambasadën amerikane në lagjen “Arbëria”.

Me të njëjtin mjet transportues zyrtari i lartë amerikan do të arrijë në ndërtesën e kuvendit të Kosovës ku do të mbajë fjalim para deputetëve.

Në dy anët e rrugës e deri në kuvend pritet që ai të përshëndetet me lule e flamuj. Ekziston edhe një variant tjetër sipas të cilit Biden me eskortën e tij do të arrijë me makinë nga aeroporti në Prishtinë, por për shkaqe sigurie ky variant është më pak i realizueshëm.

Rreth 200 pjesëtarë të sigurimit amerikan pritet ta përcjellin zv/presidentin gjatë vizitës së tij në Kosovë, që është numër më i ulët sesa do ta sigurojnë Biden gjatë vizitës së tij në Bosnje dhe Serbi.

Ndërkohë edhe njësitë speciale të policisë së Kosovës do të kenë ditë të ngarkuar të enjten.

Të angazhuara do të jenë njësitë për intervenim të parë, ai i mbrojtjes së afërt, njësitë me qen dhe njësitë e tjera.

Sidoqoftë për shkaqe sigurie edhe këto plane mund të ndryshojnë në momentin e fundit. Është e mundshme që Joe Biden mund të takojë dhe nxënësit e shkollës amerikane në Prishtinë.

Më pas Joseph Biden do të vizitojë dhe Bondsteel-in, bazën më të madhe amerikane në Ballkan që ndodhet afër Ferizajt./tvklan.al