Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Bashkuara në Tiranë, John Withers, në një intervistë për emisionin “Opinion” flet mbi sfidat e presidentit Barack Obama dhe sigurisht që optikën e tij për Ballkanin.
Withers solli në vëmendje një histori personale për të treguar se presidenti i sapo inauguruar ka një njohje mjaft të mirë të Shqipërisë. Kjo për ambasadorin amerikan do të thotë shumë.
John Withers: “Keni të drejtë kur thoni se mes shqiptarëve dhe amerikanëve ka lidhje të fortë, por le ta bëjmë këtë lidhje më të fortë, më të mirë. T’ju tregoj një histori personale. Kur u emërova nga presidenti Bush në këtë detyrë që kam emërimi duhej votuar nga senati dhe kryetari i komitetit të senatit që shqyrtoi emërimin tim ishte Obama, sot president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili e njihte shumë mirë Shqipërinë dhe rajonin. Fakti që ai ka një njohje kaq të mirë të rajonit mendoj se është një shenjë shumë pozitive”.
Withers foli dhe mbi sfidat që e presin presidentin Obama, ku sigurisht shquan ekonomia, rimëkëmbja e saj pas krizës financiare.
Kryediplomati amerikan në Tiranë shprehet i sigurt se presidenti Obama do të arrijë të ndryshojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të vizionit të tij mbi mënyrën e funksionimit të demokracisë.
John Withers: “Sfida e tij e parë do të jetë kriza financiare. Mendoj rivënia e ekonomisë sonë në punë, sigurimi i vendeve të punës, infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara janë veprime shumë të rëndësishme që ai do t’i ndërmarrë menjëherë sapo të marrë detyrën. Mendoj se ai ka gjithashtu një vizion të qartë për botën. Ai gjithashtu do të rimëkëmbë dhe do të rivendosë rolin e Amerikës në botë. Demokracia për Obamën është ajo që e krijoi atë si qenie”.
Withers vlerëson filozofinë politike të Obamës si mesazh të vërtet frymëzimi për të gjithë amerikanët.
Ai citon pjesë nga një prej fjalimeve të presidentit të ri, ku shprehet qartë vendosmëria për të ndryshuar për rimëkëmbje të ekonomisë, hapje të vendeve të reja të punës, ripërtëritje të kauzës për paqe apo dëshira për të rifituar ëndrrën amerikane./tvklan.al